
Presidenti Donald Trump deklaroi sot në fjalimin e mbajtur në Kongres se ai ka përcaktuar bandën venezueliane Tren de Aragua dhe kartelin meksikan MS-13 si organizata të huaja terroriste.
“Ata tani janë zyrtarisht në të njëjtën kategori me ISIS-in, dhe kjo nuk është e mirë për ta,” thotë ai.
Më pas, Trump lavdëron agjentin e patrullës kufitare Roberto Ortiz, duke thënë se ai “veproi menjëherë” ndërsa agjentët e tjerë të patrullës kufitare ishin nën zjarr.
“Agjent Ortiz, ne të përshëndesim për guximin tënd të madh, për vijën e zjarrit që përballove dhe për trimërinë që tregove,” thotë ai.
Kush është Tren de Aragua?
Trump përmendi Tren de Aragua – një bandë venezueliane – si një nga grupet që së fundmi janë caktuar si Organizata të Huaja Terroriste, së bashku me MS-13 dhe disa kartele meksikane të drogës.
Ndërsa ka pak informacion të besueshëm mbi këtë grup apo mënyrën se si është i organizuar, hetuesit e policisë dhe studiuesit e krimit besojnë se ai u formua në sistemin e burgjeve të Venezuelës rreth vitit 2014.
Brenda tre vitesh, banda ishte zgjeruar në një rrjet të madh kriminal dhe kishte fituar famë kombëtare në Venezuelë.
Mendohet se grupi është përhapur në SHBA pasi anëtarët e tij iu bashkuan valëve të emigrantëve që iknin nga Venezuela për shkak të varfërisë dhe paqëndrueshmërisë politike.
Në SHBA, grupi është akuzuar për krime të dhunshme, zhvatje dhe trafik droge.
Vitin e kaluar, kryetari i bashkisë së Aurora-s, Kolorado, raportoi se anëtarët e Tren de Aragua kishin marrë kontrollin e një ndërtese apartamentesh në qytet – një pretendim i përsëritur disa herë nga Trump gjatë fushatës së tij.
Shefi i policisë së qytetit më vonë deklaroi se nuk kishte prova që grupi kishte marrë në kontroll ndërtesën.
Top Channel