
Rreth një dekadë më parë një ndërhyrje nga gjykata e lartë e përcaktoi “arrestin me burg” si masën e fundit e cila nuk do ishte rregulli, por përjashtimi për veprat e rënda.
Sërish ndodhën disa ngjarje që e çuan situatën pas. Kodi u ashpërsua duke kërkuar burg për një mori veprash pa rrezikshmëri të lartë.
Veç këtyre ndërhyrjeve, ekspertët sugjerojnë se reforma në drejtësi dhe Vettingu janë po ashtu “fajtorë” për këtë situatë.
“Ky proces ndikoi në nivele negative. Niveli i parë ishte se gjyqtarët dhe prokurorët perceptuan që duke qenë më të ashpër mund të konsideroheshin nga organet e rivlerësimit si gjyqtarët e prokurorë më të mirë dhe kjo çoi në rritje të masave të sigurimit të kërkuara nga prokurorët dhe të dhëna nga gjykata”, u shpreh Erinda Ballanca, Avokati i Popullit.
Zbrazja e sistemit gjyqësor si pasojë e vettingut, mbingarkoi gjyqtarët që I shqyrtuan dosjet dhe çoi në afate kohe më të gjata hetimi duke e fryrë paraburgimin.
“Çështja është tek zbatimi i ligjit dhe fryma që duhet të zbatohet”, u shpreh Erinda Ballanca, Avokati i Popullit.
Nga 7 masa sigurimi që parashikon kodi i procedurës penale, aplikimi më i shpeshtë i arrestit më burg ka shqetësuar edhe vetë prokurorinë e përgjithshme. Në korrik të vitit 2024 ky institucion, me anë të një urdhri dërguar të gjithë prokurorive të rretheve, i rekomandon ata që masat e sigurimit të kërkohen në përputhje me parimet e ligjshmërisë, propocionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Qëllimi primar i ligjit është riedukimi, por të dhënat dëshmojnë një realitet të përmbysur. Ekspertët sugjerojnë se një dënim joproporcional mund të ketë efekte fatale mbi individin dhe familjen e tij.
“Pasoja që sjell paraburgimi dhe dënimi me burg krijojnë problematika në drejtim të shëndetit mendor. Në shohim një rritje të popullatës me probleme të shëndetit mendor në burgje, pasi kufizimi i lirisë sjell ose amplifikon në mënyrë të veçantë problemet e shëndetit mendor. Izolimi krijon ankth, depresion, probleme me stresin për të cilat edhe vetë sistemi i burgjeve në mungesë të specialistëve ka vështirësi për ti trajtuar këta shtetas”, u shpreh Erinda Skëndaj, Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
“Në rastet kur një person merr një dënim joproporcional me veprën dhe rrezikshmërinë, kjo e shkatërron dhe e bën shumë të egër për të ardhmen”, u shpreh Anton Kosteri, avokat.
Top Channel