
Ka jetuar 82 vite, është ende plot energji por edhe një memorie për ta patur zili. Lavdie Bishën aktoren e kinematografisë dhe teatrit “Petro Marko”, apo Ladon siç e thërrasin në Vlorë, e gjetëm përgjatë bregut të detit aty ku del çdo ditë për të bërë shëtitje.
“Skena është si deti, kalbësirat i nxjerrë jashtë” thotë aktorja duke përmendur shprehjen e të madhit Kadri Roshi.
Mes rrëfimeve për kinemanë dhe jetën e saj, aktorja kujton se si një episod tragjik i jetës së saj u bë skenar për filmin “Flutura në Kabinën time”.
Pengu që i ka mbetur Lados nga i gjithë realizimi i filmit është fakti se ndryshe nga Luiza Xhuvani në film, ajo nuk u hodh nga makina për një dashuri, por për të mos rënë pre e përdhunimit.
Ky moment që i la gjurmë në jetë nuk e pengoi të vazhdonte punën si aktore. Të shumtë janë ata që në Vlorë e njohin ende me emrin e romes në Filmin “Kur zbardhi një ditë”.
Pasionin për filmin nuk e harroi as kur shkoi në emigrim në Greqi.
Aktorja thotë se edhe në këtë moshë është gati të luajë filma sërish, ndërsa me krenari thotë se çmimin më të madh në jetë, ia kanë dhënë qytetarët e Vlorës me mirënjohjen e tyre.
Top Channel