
Në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të organizojë votimin dhe numërimin elektronik në disa Njësi të kryeqytetit, siç kishte parashikuar.
Projekti pilot me pajisje elektronike do të zhvillohet vetëm në Njësinë 10 të Tiranës dhe në Bashkinë e Vorës.
Në mbledhjen e Komisionit Rregullator, zhvilluar këtë të premte, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kërkuan që votimi dhe numërimi elektronik të zbatohej vetëm në këto dy zona.
Pas negociatave, me katër vota pro, dhe me dakordësinë edhe të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, u vendos që më 11 Maj të votohet dhe numërohet elektronikisht në të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë Vorë, si dhe në Njësinë 10 të Tiranës.
Kundër votimit dhe numërimit elektronik votoi vetëm përfaqësuesi i Partisë së Lirisë në Komisionin Rregullator, Muharrem Cakaj, sipas të cilit, ky projekt pilot ka sjellë pasoja.
Votimi dhe numërimi elektronik u zhvillua për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2021, në njësinë 10 në Bashkinë Tiranë. Ndërkohë që në zgjedhjet lokale të vitit 2023, u votua dhe numërua elekronikisht në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë.
Top Channel