
Njëqind vite të studios fotografike shqiptare, është ekspozita e sapoçelur në Galerinë e Artit në kryeqytet, që bën bashkë tre gjeneratat e fotografëve të Dinastisë Marubi.
Imazhe nga arkiva me temë historinë, etnografinë, urbanistikën, monumentet e kulturës, lundrimi në Bunë, të shkrepura nga viti 1856 deri në 1959 ekspozohen për herë të parë për artdashësit në Tiranë.
“Është e rëndësishme që kjo ekspozitë të vizitohet nga të gjitha grupmoshat pasi rezonon shumë mbi historinë shqiptare, për ata që e kanë jetuar, për ata që as nuk e kanë prekur dhe do gjejnë shumë materiale interesante mbi historinë e Shqipërisë, në të gjitha aspektet e saj“, u shpreh Edit Pula, drejtoresha e Galerisë së Artit, Tiranë.
Ekspozita përfshin riprodhime dhe projeksione të xham negativëve të skanuar.
“U krijua një mundësi që të ekspozohen edhe koleksionet e Raboshtës, Jakovës dhe deri te koleksioni i fundit, i familjes Dokle”, tregon Lucjano Bedeni, drejtor i Muzeut Marubi.
“Si fillim, e bëra këtë ekspozitë për audiencën në Amsterdam. Doja të jepja një pikëpamje të qartë të një tradite të rëndësishme të fotografisë në Shqipëri. Kam përzgjedhur fotografi që sjellin tema të ndryshme, jo vetëm veshjet tradicionale apo momentet më të rëndësishme historike, kështu që publiku do të surprizohet”, shprehet kuratorja e ekspozitës, Kim Knoppers.
Pas shpikjes së fotografisë në 1850, italiani Pietro Marubbi erdhi në Shkodër, ku hapi studion e parë fotografike në Ballkan. Pas ndarjes së tij nga jeta, fototekën Marubi e trashëgoi asistenti i tij Keli e në vazhdim i biri, Gegë Marubi. Me talentin e tyre, ata përjetësuan në imazhe ngjarjet e trazuara të historisë së Shqipërisë ritualet shoqërore, kostumet folklorike dhe portretet.
Top Channel