Fiks Fare\ “Rilindja Urbane”, bulevardi në Fier që “ha shumë para”, bashkia kolaudon punimet që s’kanë përfunduar!

26/02/2025 20:50

Në vitin 2014, Bashkia e Fierit shpenzoi 2.3 milionë euro për rikonstruksionin e bulevardit “Jakov Xoxa”. Në atë kohë parashikoheshin të bëheshin të gjitha punimet, që nga kanalet e ujërave të zeza, ato të bardha, trotuare, pllaka apo edhe asfalt.

Ndërkohë, 10 vite më pas, Bashkia e Fierit bëri një tjetër tender kësaj herë me objekt “Ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza Bulevardi ‘Jakov Xoxa’”, me një fond 365 mijë euro. Tenderi u bë në korrik 2024, teksa firmat kishin 3 muaj kohë të realizonin të gjitha punimet dhe mbaronin në fund të nëntorit. Punimet u shtynë në janar 2025, por edhe në këtë muaj u shtynë sërish “pa afat”.

Bulevardi “Jakov Xoxa”, kantieri i hapur!

Fiksi shkoi në datën 19 shkurt 2025 në Fier dhe sërish punimet s’kishin përfunduar. Nga ana tjetër, Bashkia e Fierit hapi një tender për “kolaudimin e punimeve” pa u përfunduar më parë ato!

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën disa informacione se Bashkia e Fierit do ta kolaudonte dhe të merrte në dorëzim. “Ju lutem Bashkia Fier do të kolaudoje dhe të marrë në dorëzim investime që akoma nuk kanë përfunduar dhe na vënë në pozita ne specialistët për të bërë procedurat. Bëhet fjalë për rrjetin e ujërave të zeza në lagjen Liri Gero. Punimet duhet të përfundonin në 23 janar. Dhe këta ç’a bëjnë, venë dhe përcaktojnë kolaudatorin që të bëjnë dorëzimin e objektit. Që të caktohet kolaudatori, në fillim duhet të kenë mbaruar punimet, por në këtë moment punimet nuk janë as në gjysmë. Edhe ne punonjës jemi dhe nuk dimë si të sillemi” shkruan një punonjës.

Një tjetër pohon se “në preventivin që ju kam nisur, ato në kuadrat të kuq ende nuk janë realizuar, ndërsa bashkia ka pranuar përfundim punimesh dhe ka përcaktuar edhe kolaudatorin për të bere dorëzimin e objektit”.

Pas kësaj ankese, grupi i Fiksit shkoi në kantierin e hapur në Bulevardin “Jakov Xoxa”, ku punimet s’kanë përfunduar. Në disa vende s’ishin vënë kapakët e pusetave të ujërave të zeza. Në asnjë gjurmë s’ishte hedhur asfalt, në disa vende as çakëll dhe shtresë stabilizanti që parashikohej në tender. E gjithë gjurma ishte e hapur.

Fiksi shfletoi dokumentet shoqëruese, ku rezulton se parashikoheshin “shtresë stabilizanti”, “2 shtresa çakëll”, “shtresë binderi me granil”, “shtresë asfaltobetoni”, “puseta” dhe “vizime me bojë”. Shumë prej këtyre punëve s’ishin bërë!

“Rilindja Urbane”, “Jakov Xoxa” që “ha” vetëm para’

Fiks Fare ka mësuar se në vitin 2014, Bashkia e Fierit, shpenzoi rreth 2 milionë euro për rikonstruksionin e bulevardit “Jakov Xoxa”. Në atë kohë, parashikoheshin të bëheshin të gjitha punimet, që nga kanalet e ujërave të zeza, ato të bardha, trotuare, pllaka apo edhe asfalt.

“Projekti ka kushtuar 200 milionë lekë. Parashikohen të bëhen të gjitha rrjetet e kanalizimeve, asfalt, trotuar etj” tha në vitin 2014 ish-kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj. Në vitin 2015, sipas një dokumenti që siguroi Fiksi, Bashkia e Fierit miratoi një shtesë fondi. Firmat u shpërblyen me një shumë prej 350 mijë eurosh.

10 vite pas investimit të parë, Bashkia e Fierit bëri një tjetër tender në atë vend, kësaj herë me objekt “Ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza Bulevardi “Jakov Xoxa”. Vlera e tenderuar është 365 mijë euro. Në dokumentet shoqëruese, Bashkia e Fierit shkruan se “gjendja e kolektorit të ujërave të zeza është shumë e keqe. Në shumë vende janë krijuar zgavra dhe rruga është e zhytur në to. Ujërat e zeza kanë dalë nga kolektori dhe kalojnë jashtë tubove. Në këtë kolektor të ndërtuar para viteve 1990 është ndërhyrë disa herë dhe përfundimisht nuk ka mundësi riparimi”.

Bashkia ka pranuar se, investimi 2 milionë e 350 mijë euro, i Rilindjes Urbane në vitin 2015 nuk ka qenë funksional!

Në dokumentet shoqëruese të tenderit të ri shkruhet se do të ribëhet kolektori, do mbushet me çakëll, stabilizant, do vendosen puseta dhe më pas asfalt. Tenderi u bë në korrik 2024, firmat kishin 3 muaj kohë të realizonin të gjitha punimet dhe mbaronin në fund të nëntorit. Punimet u shtynë në janar 2025. Edhe në janar u shtynë “pa afat”.

Kolaudohet një punë që s’është bërë!

Fiksi ka mësuar se, megjithëse këto punime ende s’kishin përfunduar, Bashkia e Fierit ka tentuar që të kolaudojë atë vepër. Në datën 21 janar 2025, kjo bashki ka hapur një procedurë kolaudimin e procedurës për kanalet e ujërave të zeza në Bulevardin “Jakov Xoxa”. Pra, pa u përfunduar punimet, qoftë edhe ato elementare si mbushje me stabilizant apo vendosja e pusetave, bëhet një tender për t’i kolauduar!

Në tabelën e vendosur në hyrje të kantierit, ishte edhe emri i mbikëqyrëses së punimeve, znj. Daniela Lleshaj. Në një bisedë telefonike me gazetarët e Fiksit, ajo thotë se kanë mbetur disa punë, por këto do bëhen në javët në vijim. Pyetjet se edhe në disa vende s’është hedhur çakëll dhe stabilizant, ajo përgjigjet se ka mbetur vetëm asfalti dhe se firmat, ajo si mbikëqyrëse dhe bashkia, kanë bërë një marrëveshje. Fiksi e pyet se punimet janë shtyrë disa herë, teksa ajo shton se “tani nuk hidhet dot asfalt se është ftohtë”.

Fiksi shkoi edhe në Bashkinë e Fierit, duke kërkuar dokumente dhe informacion, por deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk mbërriti asnjë përgjigje.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA