
Gjermania është drejt ndryshimit të qeverisë, ku nga parashikimet fillestare duket se pushteti do t’i kalojë të djathtës.
Qytetarët gjermanë votuan këtë të diel në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që do të vendosë për qeverinë e re, që do t’i udhëheqë në vitet e ardhshme.
Votimi u mbyll zyrtarisht në të gjithë vendin në orën 18.00 dhe nga exit-pollet e para kryeson partia e CDU/CSU (Bashkimi Demokristian i Gjermanisë) e drejtuar nga konservatori Friederich Merz, me 29% të votave.
Nga exit poll-et e para, opozita e qendrës së djathtë CDU/CSU ndiqet nga partia rivale e ekstremit të djathtë, AFD (Alternativa për Gjermaninë), me 19.5% të votave, e cila shënon rezultatin më të mirë që nga Lufta e Dytë Botërore.
E treta në listë rezulton partia e social-demokratëve (SPD), e kancelarit aktual, Olaf Scholz, me 16% të votave. Të Gjelbrit me 13,5% dhe partia e majtë Die Linke me 8,5%. Në rrezik për të mos hyrë në Bundestag janë liberalët e FDP me 4,9% dhe BSW me 4,7%, ndërkohë që pragu elektoral është 5%.
Sipas të dhënave, pjesëmarrja e votuesve ka shkuar në 84%, më e larta që nga viti 1990.
Në këto zgjedhje, janë pesë kandidatë për kancelar, numri më i lartë ky i regjistruar ndonjëherë. Merz është favorit për ta zëvendësuar Scholzin si kancelar, por nuk është ende e qartë se cilat koalicione qeverisëse do të jenë të mundshme pas zgjedhjeve.
Sondazhi nga ZDF:
CDU – CSU – 28,5%
AFD – 20%
SPD – 16.5%
Gjelbrit – 12%
Linke – 9%
FDP – 5%
BSW – 5%
Sondazhi nga ARD:
CDU – CSU – 29%
AFD – 19,5%
SPD – 16%
Gjelbrit – 13.5%
Linke – 8.5%
FDP – 4.9%
BSW – 4,7%
Exit poll-et bazohen në anketat e votuesve që sapo kanë hedhur votën e tyre në qindra qendra votimi përfaqësuese. Ato priren të jenë relativisht të sakta.
Top Channel