
Gjatë takimit të tij me punonjësit e bashkisë në sheshin ‘Skënderbej’, kryeministri Edi Rama ka thënë se rruga drejt Bashkimit Europian kalon nga Tirana.
Ai gjithashtu i bëri dhe një thirrje punonjësve të bashkisë që tani duhet të ‘zgjohen më shpejt dhe të flenë më vonë se zakonisht’.
“Por sot, që ka shumë më shumë se aq për të parë, Tirana është për mua prova se siç kjo luftë e pafundme përballë gjithfarë horrash nga të katërt anët, nga ata horrash që nuk e lanë këtë vend të ngrinte kokë, as kur u ngrit flamuri i Pavarësisë, që nuk iu ndanë këtij vendi që nga viti 1912, sot e ka bërë qytet europian ‘kandaharin’ e vitit 2000. Fiks si ajo luftë, ashtu edhe lufta e llumit e një kënete mediatike, do ta bëjë Shqipërinë shtetin e ri të Bashkimit Europian në 2030-ën.
Kjo e imja është një luftë për Shqipërinë. Na takon ne që këtë moment ta kthejmë si një shenjë të përhershme në flamurin e BE-së, duke i bërë të gjitha gjërat e duhura me kohën që kemi në dispozicion deri në ditën e anëtarësimi. Anëtarësimi në atë familje është një shenjë dinjiteti. Dinjiteti që na nëpërkëmb me qindrandra vite.
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ai emri ‘Albania’ aty, në tryezën e atyre që i kemi parë me dylbi dhe që na ka parë nga lartë-poshtë, është hakmarrja për të gjitha poshtërimet që na kanë bërë të huajt dhe për të gjithë vetë-poshtërimet që na kanë bërë bufat dhe mutrat e kënetës në shekuj dhe që nga viti 1912. Kjo është e vërteta dhe e vërteta duhet thënë në gjuhën e bukur dhe kuptimplotë shqipe.
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE kalon nga Tirana, që është lokomotiva e transformimit historik, që duhet të vazhdojë me ju. Që nga skuadra e zv.kryetare këtu deri te fishtarët dhe punonjësit e bashkisë së Tiranës. Kësaj radhe bashkia e Tiranës duhet të zgjohet më herët dhe të flejë më vonë sesa ishte mësuar”, tha ndër të tjera Rama.
Top Channel