
Në datën 14 janar 2025, Fiksi denoncoi sorollatjet dhe zvarritjet e disa institucioneve, Albpetrolit, Tatimeve dhe Sigurimeve Shoqërore, të cilat me veprimet dhe mosveprimet e tyre sollën që një 70 vjeçar të mbesë pa pension prej 3 muajsh.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua z. Nimet Doka nga Kuçova, i cili u ankua për kompaninë shtetërore “Albpetrol”. Ai thotë se ka punuar në Albpetrol nga vitit 2015 deri në janar të vitit 2020. Në janar të vitit 2020 ka dalë në pension pleqërie dhe ka një vendim për largim nga puna.
Pensionin e ka marrë deri në muajin nëntor 2024, ku në këtë muaj njoftohet nga Sigurimet Shoqërore në Berat se “je i punësuar në Albpetrol dhe figuron debitor”. I moshuari tregoi se ka biseduar me Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore në Berat, ku e kanë njoftuar se “do kthesh pensionin e marrë nga shkurti 2020 deri në nëntor 2024”. Fiksi bisedoi në atë kohë me institucionet, ku të gjitha pranuan gabimin por asnjëra nuk vepronte.
Pas disa javësh, Drejtoria e Tatimeve i kthen një përgjigje Fiksit, ku njofton se i ka hequr emrin si i dy punësuar. “Në përgjigje të kërkesës suaj, Administrata Tatimore ju informon se z. Nimet Doka, sipas verifikimeve në sistemin tatimor C@TS nuk rezulton më si i punësuar në subjektin ‘Albpetrol’ prej datës 01.02.2020” thonë Tatimet.
Pas kësaj përgjigje, Nimeti është lajmëruar nga Sigurimet Shoqërore në Berat për të marrë pensionin që nga muaji nëntor 2024.
“Përshëndetje Fiks Fare, jam Nimet Doko nga Kuçova. Siç jeni në dijeni të problemit tim, për të cilën keni qenë edhe ju bashkudhëtarë në stërmundimet e mia ku kemi vajtur bashkë në institucione të Sigurimeve Shoqërore në Berat, gjithashtu edhe në Albpetrol apo edhe te Sigurimet Shoqërore në Tiranë, apo edhe në Tatimet e Mëdhenj, ku të gjitha këto institucione ia hidhnin fajin njëra tjetrës” thotë Nimeti.
Ai pohon se më në fund, disa javë pasi Fiksi e ndoqi atë rast ka marrë një lajm të mirë. “Sot, mora lajmin e mirë që mu komunikua nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve në Berat se emri më është hequr. Menjëherë edhe sot vajta dhe tërhoqa lekët e pensionit tim të munguar që nga muaji nëntor e deri më tani, shkurt 2025. Gjej rastin për t’ju falënderuar ju emisionit Fiks Fare. Ju falënderoj ju se unë me forcat e mia s’kisha për ta arritur. Falënderoj Top Channel për zgjidhjen e problemit tim” përfundon ai.
Top Channel