Pesë persona janë arrestuar dhe 15 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se dëmtuan me sende të forta dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit, gjatë protestës së sotme.

Gjatë kontrollit të një 16-vjeçari, u gjetën dhe u sekuestruan lëndë piroteknike.

Sipas njoftimit të Policisë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera gjatë tubimit, u identifikuan 20 shtetas të dyshuar për dëmtimin e godinës së këtij institucioni.

Në pranga ranë shtetasit A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç, si dhe një i mitur 16-vjeçar.

Gjatë kontrollit fizik të të miturit, policia gjeti lëndë piroteknike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, 15 shtetasit e tjerë të identifikuar janë shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Top Channel