
Gjykata po zhvillon me dyer të hapura procesin e Plumbit të Artë, ku avokatët i drejtuan pyetje dëshmitarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Gazetarja Anila Hoxha raporton se gjatë seancës Gentian Sharra ka deklaruar se ai nuk ka marrë pjesë në grabitjet që pretendon Nuredin Dumani pasi sipas tij ka pasur 13 biznese asokohe.
Gentian Sharra: Nga 2012 e sot marr tendera dhe vazhdoj edhe sot. Tani i ka sekuestruar prokuroria. Jam taksapagues i rregullt. Kam pasur 13 biznese. Bar restorant, lloto, servis, pikë shumice. Në kohën kur zotëria thotë kemi bërë vjedhje bashkë unë kisha 13 biznese. Dumanin unë e kam takuar tek lokali im. E kam njohur për njeri të sëmurë. Vëllai i këtij vinte e bënte biseda me Talo Çelën. Unë nuk e di nga i monton këto intriga Nuredin Dumani e duke më veshur një imazh negativ. Në 2017, nëse shikoni deklarimet tek Tatim Taksat në Elbasan unë kisha 2 miliard e 430 mln lekë. Kisha 200 mln lekë divident. A ka logjikë që Gentian Sharra të shkonte në Berat të vidhte 2000 pound?
Avokati: A keni dashur ndonjëherë të vrisni Gebtian Sharrën?
Dumani: Avokat, do shkojmë tek 2020-ta. Prit se jemi edhe më herët.
Avokati: A keni dashur ndonjëherë?
Dumani: Po të kisha dashur nuk donte ishte aty në kafaz.
Një nga avokatet e të pandehurve në sallën e gjyqit pretendoi se u kërcënua me jetë nga i penduari Dumani. Në kohën që gjykata vendosi të ndërpresë seancën për 10 minuta, avokatja mori fjalën dhe kërkoi të merren masa.
“Para se të ndërprisni seancën, lutem të dëgjoni procesverbalin audio të seancës. Teksa po flisnit i penduari më tha ‘do merrem dhe me ty, me ke ngelur ti pa vrarë’. Nuk mund të kërcënohemi kështu!“.
Top Channel