“Është momenti që të bashkohen të gjithë”/ Deputeti i PD-së në protestë: Thirrjet Rama në burg, Berisha në burg? Thelbi është largimi i qeverisë
Një gardh njerëzor i përbërë nga efektivë të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është vendosur përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa protesta e studentëve dhe të rinjve vijon në rrugën e Durrësit.
Protestuesit janë pozicionuar te hyrja anësore e ministrisë, ku kanë vijuar të njëjtin skenar si një ditë më parë, duke përdorur kangjellat e shkulura nga trotuaret për të krijuar një barrikadë.
Kjo barrikadë është vendosur përpara dy automjeteve ujëhedhëse që ndodhen në hyrje të rrugës së Durrësit.
Deri më tani, Policia e Shtetit nuk ka ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve. Në një moment, disa prej studentëve tentuan të futeshin brenda gardhit të vendosur përpara ministrisë, por ndërhyri policia dhe ata u tërhoqën, duke vijuar protestën në rrugë.
Gjatë tubimit, protestuesit kanë hedhur gurë, mjete piroteknike dhe shishe me ujë në drejtim të Ministrisë së Arsimit. Gjithashtu, në muret e institucionit janë shkruar mesazhe me spraj.
Një pjesë e konsiderueshme e të rinjve janë me fytyra të mbuluara me shaje dhe maska. Sipas vëzhgimeve nga vendngjarja, disa prej personave me fytyra të mbuluara janë përfshirë në veprimet e mësipërme gjatë protestës.
Nga komunikimet me drejtues të Policisë së Shtetit bëhet me dije për Top Channel se, duke qenë se bëhet fjalë për një protestë studentore, uniformat blu po tregohen të rezervuara në veprimet e tyre dhe deri në këto momente nuk kanë tentuar të shpërndajnë turmën.
Ndërkohë, protesta vijon përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa në zonë po mbërrijnë edhe protestues të tjerë nga drejtimi i Zogut të Zi.
Top Channel