
Nestor Topençarov është përndjekur për gati gjysmë shekulli nga regjimi komunist.
Drama e familjes së tij nisi kur babanë, një topograf i njohur nga Maqedonia e Veriut, e burgosën në 1976, nën akuzat si agjent jugosllav. Pak vite më vonë, vetë Nestori u dërgua në burgun famëkeq të Spaçit.
“Në fakt, ishin kampe shfarosjeje, se puna e rëndë që bënim, ushqimi i keq të shkatërronin shëndetit, por atyre nuk u interesonte. Kur flije ishe ngjitur me personin që kishe në krah. Na numëronin vazhdimisht dy herë në ditë. Rrinim në radhë për të ngrënë ushqimin dhe duhet të lexonim veprat e diktatorit“, shprehet Topençarov.
Celulat e spiunazhit mbërthyen të gjithë familjen e tij….
“Kur mora dosjen e sigurimit u surprizova… Një nga ato ishte se dhe mamaja ishte ndjekur. Në periudhën 76-77, ishte ngritur në 2A, që do të thotë niveli më i lartë i ndjekjes. Pas kësaj vinte vetëm arresti. Edhe motra kishte qenë në prag të arrestit në vitet 82-83”, shton ai.
Portretet e Nestorit dhe motrës së tij varen në muret e Piramidës së Tiranës, bashkë me fotot e 40 ish të përndjekurit politik, burra dhe gra si pjesë e ekspozitës “Rrugëtime të Papritura të Jetës” në kuadër të Ditëve të Kujtesës.
Ekspozita u organizua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në 10-vjetorin e krijimit të institucionit, që nuk ndal thirrjen për të kujtuar viktimat e regjimit përmes memorialeve dhe muzeve.
“Ne menduam se për 2-3 vite do të bënim aq shumë presion sa do të kishim një ditë kujtese për viktimat e qëndresën nga regjimit dhe të kishim një memorial në qendër të Tiranës. Për fat të keq, ende pas 10 vitesh, nuk kemi një Ditë Kujtese dhe ende nuk kemi memorialin. Për sa kohë nuk kemi muze në vendet e vuajtjes, për sa kohë kampet e Spaçit, Tepelenës etj janë rrënuar në atë gjendje të janë sot, ende kemi rrugë të gjatë për të bërë”, shprehet Jonila Godole.
Disa aktivitete do ta mbahen përgjatë Ditëve të Kujtesës që përmbyllen në 24 shkurt, me praninë e dëshmitarëve që përjetuan mizoritë e regjimit komunist dhe duke përforcuar thirrjen për drejtësi dhe reflektim shoqëror.
Top Channel