![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/qeveria-e-kosoves-ndertesa_sd-800x450.jpg)
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se do përpiqet ta bëjë funksional dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo paralajmëroi se do takohet brenda marsit me të dërguarin e ri për dialogun, Peter Sorensen, për të shqyrtuar mundësinë e rikthimit të bisedimeve.
“Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë. Unë vërtet dua të shoh se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë. Dhe, ai më ka thënë se është i gatshëm vërtet të investojnë kohë për normalizimin”, tha Kallas.
Zyrtarja e BE tha se po pret që Kosova të formojë qeverinë e re, për të parë se si të vazhdojë më tej, duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është i nevojshëm për të dy vendet.
“Nëse ato mendojnë se mund të lëvizin në rrugëtimin evropian pa normalizimin e marrëdhënieve, atëherë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur”, u shpreh Kallas.
Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.
Top Channel