![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/WhatsApp-Image-2025-02-10-at-16_sd-800x450.jpg)
Teksa shpallte me të madhe fitoren e partisë së tij në parlamentaret e së dielës, Albin Kurti u shpreh i bindur se Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë ta krijojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Madje duket se as skenari i një bashkimi të votave të opozitës, nuk e tremb aspak.
Por shifrat, deri tani, nuk janë për të burim i një entuziazmi po aq të madh sa përpara 4 vitesh, kur rrugën drejt krijimit të ekzekutivit ia shtroi një nivel i rehatshëm votash prej mbi 50%. Shumë ekspertë mendojnë se njeriu që po kërkon një mandat tjetër qeverisës, mund të detyrohet të bëjë kompromise për koalicion. Por përse erdhi kjo tkurrje e mbështetjes për të dhe forcën e tij politike?
Gjatë mandatit të tij të parë, Kurti premtoi qeverisje të fokusuar në transparencë e llogaridhënie teksa insistonte në të njëjtën kohë tek rëndësia e ruajtjes së sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kësaj, Qeveria e tij e ka gjetur veten në raporte të Departamentit amerikan të Shtetit për korrupsion qeveritar, apo të Reporterëve pa Kufij për kufizimin e lirisë së mediave.
Që prej 2021, trendi i papunësisë ka qenë në rënie, rritja ekonomike llogaritet nën 4 për qind, ka pasur rritje të investimeve të huaja direkte. Por, ajo që ka përcaktuar më thellësisht qeverisjen e dytë të Kurtit ka qenë diçka tjetër: vendosmëria e tij për të zgjeruar autoritetin e Kosovës në veri të vendit, ku popullata shumicë është serbe dhe, për vite me radhë nuk i është bindur vendimeve të Prishtinës zyrtare. Pavarësisht kundërshtimit të këtij komuniteti, Kurti vendosi kryetarë shqiptarë në drejtimin e komunave me shumicë serbe, zëvendësoi targat serbe të makinave me targa të Kosovës, hoqi nga përdorimi dinarin serb dhe mbylli shumicën e institucioneve të Serbisë, që punësonin mijëra vetë.
Të gjitha këto lëvizje, ishin në një linjë me vizionin e tij për një Kosovë sovrane dhe të bashkuar, kujtojnë ekspertet, por ato erdhën me një kosto shumë të lartë për aleancat ndërkombëtare, duke prodhuar si rrallëherë një kundërshi publike ndaj Kosovës nga ana e BE-së dhe e vetë SHBA-së. Kosova aktualisht përballet me masa të bllokut europian, dialogu ka ngecur në vendnumëro, ndërsa të rinjtë mendojnë se fokusi nuk duhet të jetë më kaq shumë vetëm tek Serbia, por edhe në cështje të tjera shqetësuese për ta, përfshirë ekonominë.
Top Channel