“Do të forcojmë ushtrinë”, marrëdhëniet me Shqipërinë, Kurti: Pres më tepër mbështetje, por sukseset që kemi pasur janë të pamohueshme

08/02/2025 21:56

Në një intervistë ekskluzive në Top Story përballë Grida Dumës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur gjatë mbi mandatin e tij 4 vjeçar dhe çështje të tjera.

Gjatë intervistës, ai foli edhe për marrëdhënien e dy shteteve tona, dhe bashkëpunimet e suksesshme që kemi pasur. Ai tha se do të ketë dhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, duke shtuar se duhet që të kemi në brez pa luftë.

“58 marrëveshje kemi bërë me qeverinë e Shqipërisë, kurrë nuk ka pasur shkallë më të lartë të realizimit. 22 vite pas çlirimit të Kosovës fëmijët kanë mësuar me dy abetare të ndryshme dhe vetëm me ne kanë tani një abetare.

Partneri kryesor tregtar me qeverinë tonë është Shqipëria, me ata para nesh ka qenë Serbia. 26 vendkalime të reja kemi hapur. Po ashtu 2 organizime ndërkombëtare sportive po i bëjmë bashkë. Enciklopedinë shqiptare po i bëjmë bashkë, po financojmë me bursë Shqipëria studentë të Kosovës, dhe ne studentë të Shqipërisë.

Ne mund të kemi ndonjë mospajtime, unë pres mbështetje më të madhe nga Shqipëria nga kjo që kam, besoj është dhe obligim i Shqipërisë, por nga ana tjetër janë të pamohueshme sukseset që kemi pasur.

Kemi zyra doganore dhe në Porto Romano dhe në Durrës, do bëjmë hekurudhë Prishtinë-Durrës, unë besoj se aty do jetë dhe segmenti Gjakovë-Shkodër dhe do të kemi dhe bashkëpunim më fushën e mbrojtjes sepse jemi dy shtete, por një komb.

Brezat e ardhshëm kurrë të mos kenë më frikë nga agresionet shtetet fqinje. Shekulli kaluar ka nisur me luftëra ballkanike, tmerr!

Duhet të kemi një brez që plaket pa luftë. Për këtë na duhet ushtria e fortë. Shumë mirë që Shqipëria është në NATO, që i janë hapur negociatat për anëtarësim në BE.  Ne i gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë. Por dhe Shqipëria duhet të ketë qëndrimin për Kosovën, si Kosova që e ka për vete dhe këtu mendoj se ka më shumë hapësirë për përmirësim, avancim”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA