Pas hetimit lidhur me faqen e ‘Instagramit’ ku publikoheshin foto, video intime dhe të dhëna me fjalë denigruese për adoleshentët, policia ka arritur të identifikojë dy vajzat “administratore”.
Policia thotë se nga hetimi intensiv, u identifikuan dhe ndaluan dy vajza, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale:
Bëhet fjalë për P. M, 19 vjeçe, banuese në Korçë, administratorja e profilit të krijuar në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin materiale me përmbajtje bullizuese dhe denigruese.
Si dhe një 17-vjeçare, banuese në Korçë, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit.
Për tre ditë adoleshentët e Korçës u terrorizuan nga një faqe “Instagrami”, e cila bullizonte, denigronte dhe publikonte materiale pornografike të tyre.
Pas denoncimit të bërë nga një oficere e sigurisë në një prej gjimnazeve të Korçës, Sektori kundër Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nisi hetimet për rastin dhe identifikimin e administratorëve të faqes.
Nën objektivin e sulmit të administratorëve anonimë të faqes e cila që në emër ishte denigruese, ishin vendosur nxënës të shkollave të mesme por edhe 9 vjeçare të qytetit. Disa nga adoleshentët e moshës 14-18 vjeç të cilët u bënë objekt i sulmit treguan se faqja ekziston prej disa vitesh dhe në mënyrë periodike është hapur dhe mbyllur.
Sipas tyre ndryshe nga herët e tjera tani përveç postimeve me emra dhe mbiemra me përmbajtje denigruese ka patur edhe video dhe foto me përmbajtje pornografike.
Vetëm në 3 ditët e fundit ka pasur më shumë se 20 adoleshentë të dëmtuar nga sulmi kibernetik përmes kësaj faqeje, e cila tashmë është mbyllur.
Top Channel