Forcat e Armatosura të Shqipërisë rrisin më tej kontributin e tyre në misionet ndërkombëtare, duke rritur me plot 30 trupa praninë e tyre në operacionin e Bashkimit Evropian, “ALTHEA” në Bosnjë-Hercegovinë.
Një togë nga Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë i Forcës Tokësore do të jetë kontingjenti i parë në këtë operacion, ku vitet e fundit FA kanë kontribuar me oficerë shtabi.
Në ceremoninë e përcjelljes së këtij kontingjenti nga garnizoni i Zall-Herrit, morën pjesë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë Tayyar Kağan Atay, i Ngarkuari me Punë i BE-së Andre Rizzo, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Forcës Tokësore Gjeneralmajor Ilir Xhepexhia etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vlerësoi se “ky angazhim nuk është thjesht një detyrë ushtarake, por një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja jonë në këtë mision pasqyron vlerat që ne ndajmë me partnerët tanë: paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive”.
“Gjatë viteve, Shqipëria ka ndërtuar një histori të suksesshme dhe të denjë në angazhimet ndërkombëtare, si një vend anëtar i NATO-s dhe një partner i besueshëm në kuadër të Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja jonë në misionet e Bashkimit Evropian, si EUFOR “ALTHEA” dhe ai në Mali, ka dëshmuar profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e Forcave tona të Armatosura. Ju, përmes përgatitjes dhe aftësive të tyre, keni fituar respektin e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”, u shpreh ndër të tjera Ministri Hasani.
Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu theksoi se Forcat kanë rritur ndjeshëm pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet ndërkombëtare, duke u rreshtuar me politikat e BE në kuadër të anëtarësimit në Union. “Forcat e Armatosura arrijnë shifrën e 500 efektivëve të dislokuar në mënyrë permanente në misione jashtë vendit. Gra dhe burra, janë të angazhuar çdo ditë, në mbarë Evropën, në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Përmes këtij kontributi, Shqipëria, jo vetëm dëshmon se linjëzohet 100% me politikën e jashtme të sigurisë së BE, por ky është një linjëzim me vepra. Dhe kur e shikojmë se disa prej vendeve të BE janë tërhequr nga ky mision, ndërkohë që Shqipëria po merr përgjegjësi shtesë, e kuptojmë edhe më mirë se stabiliteti dhe paqja në rajonin tonë të munduar, është fryt i kompromiseve të vështira”, u shpreh Ministri Vengu.
Ambasadori turk Atay theksoi bashkëpunimin e hershëm mes forcave të armatosura të dy vendeve, të cilat kanë shërbyer krah njëra – tjetrës në Afganistan, megjithatë e konsideroi nisjen e këtij operacioni të ri si një moment të rëndësishëm në vazhdimësinë e bashkëpunimit dypalësh.
I Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian Andre Rizzo vlerësoi rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE, duke e konsideruar vendin tonë si një partner të rëndësishëm si mjedisin e sigurisë globale.
Kontingjenti i parë shqiptar në operacionin ALTHEA në Bosnjë-Hercegovinë përbëhet nga 30 trupa, mes të cilave një vajzë dhe do të shërbejë për rreth 6 muaj në Camp Butmir në Sarajevë.
Top Channel