“Bufi që kukuron sot s’iu gjet ende vendi që meriton”, Rama: Është problem i drejtësisë, jo i imi! Në 11 maj shqiptarët… (E PLOTË)

04/02/2025 11:44

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë komunikimit live me qytetarët.

Ai theksoi se ish-kryeministri është problem i drejtësisë dhe jo i tij, por më 11 maj qytetarët do të dinë ta trajtojnë përmes votës.

Kryeministri Rama: Me dy fjalë po bëjmë pak shkëmbime sy më sy, se kam patur shumë ankesa për atë postimin “sy më sy,” jo po pse s’më përgjigjesh mua, jo po pse s’më përgjigjesh mua. Atëherë të gjithëve s’u përgjigjemi dot, po aq sa mundemi të bëjmë edhe mbase një pjesë e pyetjeve janë të përbashkëta.

Po e filloj me një që ka rëndësi: Si mund të regjistrohemi jam në Itali edhe dua të votoj?

Kryeministri Edi Rama: Ka shumë rëndësi kjo pyetje. Është shumë e thjeshtë, duhet të shkoni në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Aq e thjeshtë sa s’ka. Në Google, KQZ, pastaj në platformën e KQZ-së keni të gjithë udhëzimet aty për të bërë procesin. Është një proces goxha i thjeshtë, por mund të marri pak kohë, sepse duhet që fotografia të jetë me atë rezolucionin e mjaftueshëm, duhet ta bëni atë foto në dritë, jo shumë në errësirë se nuk merr, duhet që kartën ta vendosni si duhet dhe nëse unë tani nuk gabohem, dhe nuk besoj se gabohem se e kam dëgjuar disa herë që për regjistrimin e kartës duhet përdorur ajo pjesa e prapme e kartës që vendoset aty në ekran. Pra, shkurt fjala siç janë regjistruar deri tani me dhjetëra, mijëra mund të regjistroheni dhe për çdo gjë besoj se aty keni të gjitha ato që iu duhen për t’u regjistruar.

– Ndërkohë votën time e humbe se propozove shtetin bektashi dhe copëton shtetin shqiptar?

Kryeministri Edi Rama: Si do të copëtohet shteti shqiptar kaq kollaj me një të rënë të lapsit?! Kjo nuk bën vaki. Shteti italian i copëtuar të duket që ka jo një, po ka nja dy struktura brenda për brenda vetes, të cilat kanë një sovranitet të caktuar aty, funksionojnë brenda për brenda, ndërkohë që në rastin tonë këtu nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një shtet në atë sens që e kuptoni gabimisht ju dhe të sugjeroja ta ndiqje fjalën time që kam mbajtur në 95 vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore këtu në Shqipëri, ku e sqaroj besoj se i duhet dhënë një status i veçantë atij komuniteti. Po nuk bëhet fjalë për gjëra të kësaj natyre, po bëhet fjalë për një entitet i cili nuk ka polici, nuk ka dogana, nuk ka taksa, pra në të gjitha aspektet i përgjigjet kushteve dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë përsa i përket organizimit të përgjithshëm shtetëror.

– Pse nuk kthen përgjigje për gjëra serioze, siç janë legalizimet, shëndetësia, drejtësia, populli të ka besuar tre mandate. Si i justifikon pa arritjet, si e lejon korrupsionin, populli është i lodhur, ndoshta nuk është vetëm gabimi juaj.

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo! E para punës unë jam shumë i lumtur të kthej përgjigje për këto gjëra, sepse jo vetëm që nuk arsye për t’iu shmangur, po kam shumë e shumë gjëra për të thënë.

– Për legalizimet pa diskutim, qindra e mijëra familje sot janë pronarë me tapi të ndërtimit të bërë me shumë sakrifica kohë parë. Natyrisht nuk janë të gjithë që janë të legalizuar dhe procesi vazhdon edhe tani që flasim, sepse ndërkohë për një periudhë kanë vazhduar edhe ndërtimet. Kështu që, nuk është se kemi mbetur te ata që ishin atëherë dhe nga ana tjetër ka disa kërkesa procesi.

– Për shëndetësinë, patjetër flas dhe mjafton të shkosh në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” apo edhe në spitalet e tjera, që nga Shkodra gjer në Vlorë, në Elbasan, në Fier, në Durrës dhe të shikosh se çfarë transformimi rrënjësor është bërë. Më vjen shumë keq që shumë kush dhe fatmirësisht dhe mos e pastë kurrë nevojën të shkojë në spital, e nuk ka shkuar në këto vite, vijon e kujton spitale të kohës së rumpallës dhe vazhdon i bie të njëjtës daulle, ndërkohë që ndryshimi është i pakrahasueshëm, i paimagjinueshëm, i pa konceptueshëm.

Aq e vërtetë është kjo sa unë personalisht dy herë jam operuar në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme këtu në Tiranë dhe po iu them që nuk ka absolutisht asnjë ndryshim dhe jo vetëm në rastin tim për mua, po për të gjithë pacientët çfarë ka jashtë. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka probleme, kjo nuk do të thotë që nuk ka gjëra për të rregulluar, kjo nuk do të thotë që në raste të caktuara nuk ka probleme të korrupsionit dhe në ndërkohë lajmi i mirë është që te Onkologjiku ku u shfaq një tumor i rëndë i korrupsionit ne tani kemi partneritet strategjik me një ndër 10 spitalet më të mira të botës, i rankuar i 9-ti në botë dhe me të cilin kemi nisur në spitalin Onkologjik një proces total transformimi në çdo aspekt përsa i përket trajtimeve, përsa i përket konsultave, përsa i përket të gjithë regjimit të barnave etj me spitalin Sheba të Izraelit.

Është një partneritet që do të strihet për të gjithë kompleksin spitalor Universitar “Nënë Tereza” dhe që do të bëjë, ambicia jonë që në “Shqipërinë 2030” kompleksi Spitalor “Nënë Tereza” të jetë kompleksi i ekselencës spitalore në rajon dhe të mos të jetë më nevojë për shumëkënd sepse përsëri patjetër një pjesë që do të preferojnë do të shkojnë të Turqi, do të shkojnë gjetkë, po për shumëkënd nuk do të jetë më nevoja të shkojnë askund tjetër.

– Përsa i përket drejtësisë, unë, jo që i shmangem, por kam shumë për të thënë se ka një diskutim të vazhdueshëm dhe të pakuptueshëm për mua. Po jo u fut ky në burg, jo po u fut ai në burg, jo po dënohet ky, jo po dënohet ai dhe këto faturohen si faje, apo si përgjegjësi apo si e metë e Partisë Socialiste.

Po pa Partinë Socialiste, pa vullnetin tonë kurrën e kurrës nuk do të ndodhte kjo që po ndodh që drejtësia të çlirohet nga kthetrat e pushtetit politik, të pavarësohet nga pushteti politik dhe të veprojë pavarësisht se cilës anë i përket njëri apo i përket tjetri. Nuk ka ndodhur në historinë e popullit shqiptar që nga viti 1912 deri ku ne bëmë reformën në drejtësi që të ketë një të vetëm, person të lidhur me pushtetin politik që të jetë vendosur para një drejtësie të pavarur.

S’po flasim për persona të lidhur me pushtetin politik në kohën e komunizmit apo për personat e lidhur me pushtetin politik në kohën e demokracisë si kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano, i cili u dënua, ishte politikan, u dënua, jo nga një gjykatë e pavarur, por nga një gjykatë politike, s’po flasim për këtë, po flasim për institucione të pavarësuara dhe kjo është një arritje historike e Partisë Socialiste dhe nëse jo për asgjë tjetër, vetëm për këtë as nuk duhet të diskutohet fare. Se këtu në Shqipëri ka vetëm, një parti që lufton përditë për të bërë shtet dhe natyrisht që kur thua parti, flet për një kolektivitet të madh njerëzish. Ne rastin e Partisë Socialiste është komunitetit politik më i madh i shqiptarëve dhe sigurisht që si çdo pyll që ka derrat e vet, edhe Partia Socialiste ka në këtë proces njerëz, individë që për fat të keq i përkasin drejtësisë dhe nuk i përkasin më rrugës së Partisë Socialiste.

Por thënë të gjitha këto një është e sigurt, që sot nuk ka më shumë korrupsion, sot ka më pak korrupsion, sepse nëse sot do kishte më shumë Shqipëria nuk do të ishte e ulur në tryezën e negociatave me Bashkimit Europian. Nuk të pranon njeri në tavolinë për të negociuar me më shumë korrupsion dhe ku parametrat e luftës kundër korrupsionit janë një kusht kryesor, kjo është pak mbase, po që është e sigurt. Po të kishe sot më shumë korrupsion dhe jo më pak korrupsion, Shqipëria nuk do të ishte e para në rajon dhe me diferencë pikësh, 80 pikë ka Shqipëria, ndërkohë që vendi i dytë është me 71, në mos gabohem, dhe pastaj vijnë, të tjerët në rajonin tonë për prokurimet publike, për tenderat pra, për transparencën dhe për efikasitetin e organizimit të tenderave, Shqipëria është e para dhe këtë nuk e them unë, nuk e thotë qeveria, këtë e thotë Sigma dhe sot pas pak, pasi të mbarojmë këtu, kemi edhe një konferencë me Sigmën dhe në shumë aspekte të tjera. Pra, nuk diskutohet që korrupsioni është një problem, që duhet vazhduar të adresohet, po këto krahasime janë komplet, domethënë të krahasosh Shqipërinë e sotme me Shqipërinë e para një dekade duhet të pranosh që i ke vënë dry, i ke vënë dry, drynë memories dhe praktikisht nuk ke asnjë interes për të vërtetën.

– Keni një gjë të mirë se ti i mban premtimet dhe po shikojmë që po iknin shqiptarët.

Kryeministri Edi Rama: Kjo, historia, “po ikin, po ikin”, ju lutem shumë, sepse është pak si, pak si një motiv i stërkënduar, por pa pasur parasysh disa fakte shumë të thjeshta. Pikë së pari, njëherë trendi i largimit të shqiptarëve drejt Europës apo botës në përgjithësi, as nuk është, nuk e ka zënë fillin në qeverisjen tonë dhe as nuk është në stadin kur kthesa e dukshme të fillojë, pse? Sepse mjafton të shohësh çfarë ka ndodhur në vende të tjera, për të kuptuar që kthesa e dukshme, pra momenti kur ka më shumë që kthehen se sa që largohen për të gjitha vendet që janë bërë anëtarë të Bashkimit Europian është momenti i anëtarësimit dhe momenti i balancimit të plotë të vendit në kornizën e përgjithshme të veprimtarisë së shteteve europiane, e para.

E dyta, ne shqiptarët kemi qenë të mbyllur për 50 e kusur vite dhe jemi më të justifikuarit për të kërkuar fatin, për të kërkuar diçka më të mirë, për ta kërkuar sot dhe jo për të pritur kur largohemi, Por nga ana tjetër, siç ka shqiptarë që largohen, ka dhe shqiptarë që kthehen dhe pa diskutim, që përgjigja dhe zgjidhja nuk është një çelës magjik, po është punë, punë, punë e përditshme dhe siç po ndodh që gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më të shumtë, shqiptarët kthehen në Shqipëri për të bërë pushime një herë e dy herë në vit, siç po ndodh që po kthehen për të investuar në fshat dhe po kthehen për të bërë blerë shtëpi e për të parë një të ardhme në qytet, ky është një trend që do të ketë kohën dhe kthesën e vet.

Nuk ka asnjë lloj çelësi tjetër magjik dhe të tjerët janë të gjitha propagandë që kushdo mund ta pëlqejë, kushdo mund ta përqafojë, por e vërteta është që kush thotë që ka një mundësi për ta ndaluar me frena dore këtë trend historik, besoj që thjesht dhe vetëm ose nuk di ç’a thotë ose gënjen, sepse kjo nuk ka ndodhur kurrë në histori, në asnjë vend dhe për asnjë arsye të gjitha vendet kanë pasur fazat e tyre të emigracionit, përveç Amerikës, që është një vend ku emigrantët shkojnë, dhe të gjitha vendet kanë pasur edhe fazat e tyre të balancimit, e pastaj të qëndrimit. Ndërkohë që po të shikojmë sot, për të mos u zgjatur, edhe vendet europiane të Mesdheut po kanë për të njëjtin fenomen që lidhet me globalizmin, që lidhet me nevojën e njerëzve për të lëvizur dhe për të shkuar më shpejt dhe për ta marrë më shpejt atë që përndryshe do të presin më gjatë për të qenë zotërues të të ardhmes së tyre.

-Janullatusi e rrëmbeu Kishën Ortodokse shqiptare është momenti të zgjidhet një kryepeshkop shqiptar tani.

Kryeministri Edi Rama: Tani rrimë shtrembër dhe të flasin drejt, unë besoj që me amanetin e tij publik, dhënë në shtypin grek pak kohë përpara se ta ndahej nga jeta, Kryepeshkopi Janullatos ka mbyllur të gjitha gojët dhe nuk ka lënë më asnjë shteg për askënd për të ngritur hipoteza të asnjë natyre e lidhur me rolin, me figurën, me bilancin historik të qëndrimit të tij në krye të Kishës Autoqefale, kur ka thënë që pasardhësi im duhet dhe do të jetë një shqiptar.

Ku ka thënë që; ne nuk kemi shkuar në Shqipëri për të ndërtuar një koloni, por një kishë autoqefale dhe njësoj siç ne domethënë grekët nuk e parafytyrojmë dot në Greqi një kryepeshkop serb apo bullgar, si mund të parafytyrohet në Shqipëri, dikush tjetër përveçse një kryepeshkop shqiptar.

Ndërkohë që në momentin e ardhjes së tij ishte e pashmangshme, vendosja e një kryepeshkopi jo shqiptar për shkak se ne nuk e kishim pas një ndërprerje të gjatë historike mundësinë që të vendosnim një kryepeshkop shqiptar, kjo është e thjeshtë dhe të gjitha teoritë e konspiracionit dhe luftërat imagjinare të bazuara tek frymëzimet nga shekujt e kaluar, kur realisht, realisht, patriotët shqiptarë kanë pasur probleme të rënda, deri dhe kanë humbur jetën për shkak të konflikteve me rryma të caktuara të kishës janë pa vënd sot në shekullin e njëzet e një.

– Mbaje dy minuta heshtje, vetëm sazet i mungonin gjithë ajo ceremoni, gjithë ato shpenzime, populli s’ka të hajë, ne s’bëjmë gjë po i lëmë të vdesim. Mjerë ai që s’është i zoti mbijetojë, se asnjë njeri s’do t’ia dijë rron apo jo, luftë për ekzistencë politike.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e di se si mund të flitet në këtë gjuhë, në këtë kohë kur nuk besoj se e ngrëna në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës është problem dhe pastaj, përsa i përket “të vdekurit për bukë”, e kam thënë me mijëra herë që nga koha e Skënderbeut, asnjë shqiptar nuk ka vdekur për bukë, por këtu s’jemi tek buka, këtu jemi tek standarde krejt të tjera dhe ndërkohë flitet për shpenzime në funeralin e kryepeshkopit, kur aty nuk di se çfarë shpenzimesh kishte, përveç shpenzimeve për arkivolin e të ndjerit, se karriget e kishës, muret e kishës, mikrofonet e kishës. Nuk e di, domethënë nuk e kuptoj si mundet të bihet pre kaq shumë e këtij llumi të kanaleve të portaleve dhe të infektohet njeriu deri në këtë pike.

– Zoti kryeministër thotë, më vjen keq që duhet t’ju shqetësoj. Quhem Eleni Zhaka banore e njësisë 14, kam kërkuar në portalin e-Albania çertifikatë, sepse kam bërë gabim në çertifikatën martesore. Ju lutem shumë, unë jam në Boston.

Kryeministri Edi Rama: Ju lutem shumë, është diçka për t’u kujtuar në vijimësi që çdo problem që keni në çdo lloj drejtimi, ju lutem shumë drejtoheni te platforma e bashkëqeverisjes, Shqipëriaqëduan.al Aty është struktura që ndjek çdo problem të qytetarëve, kur qytetarët nuk arrijnë të zgjidhin diçka në një fushë apo në një fushë tjetër, pra tek platforma Shqipëriaqëduan.al, pra aty e merrni përgjigjen.

– Ndërkohë shumë mirë që ndërtohet, po si ka mundësi që vetëm për Gramshin nuk ndërtoni asnjë kilometër rrugë dhe rrugën në cilën Gramsh e bëri kompania.

Kryeministri Edi Rama: Po mirë më si ka mundësi, o miku im Nefail. Rrugën Cërrik – Gramsh, e kemi negociuar ne me kompaninë, E kemi kërkuar ne që kompania ta bëjë dhe ta vendosi në funksion, jo vetëm për vete, po për komunitetin. Ka qenë pjesë e një marrëveshje që e kemi bërë pasi kompania madje kishte filluar edhe punën atje dhe ne erdhëm më pas në qeveri, kështu që tani ç’rëndësi ka kjo se kush e financoi?

Ç’rëndësi ka se kush e financoi? Se kjo është si ajo që kur ne themi, po bëjmë këtë rrugë, po bëjmë atë rrugë, ka plot që thonë, po pse me lekët e tua po i bën? Asnjë qeveri në historinë e botës nuk bën gjë tjetër përveçse administron të ardhurat nga taksat apo nga burimet e tjera për të bërë punë të mira për vendin. Kështu që, qeveritë nuk dallohen se kush i bën me lekët e veta, kush i bën me lekët e tjerëve, qeveritë dallohen se kush bën më shumë punë të mira me ato para që administron apo jo?

Pyetje: Po vjedh të ardhurat e popullit.

Kryeministri Edi Rama: Shiko, është shumë shumë banale dhe duhet të bëj të ndjehesh vetë, jo mirë, se si mund të shkruash një fjalë të tillë. “Po vjedh të ardhurat e popullit”, po ku, si? Mbi ç’bazë mund të thuhet kjo? Apo sepse është një pjesë fatkeqësisht e atyre që janë në mexhelisin tonë publik, që nuk dinë asgjë tjetër përveçse të ndërtojnë fjali të tilla, edhe të batërdisin nga mëngjesi deri në darkë veshët edhe mendjet e këtij mileti me fjali të tilla Jo, mor zotëri, jo fare! as nuk e di çfarë thua dhe as nuk ke asnjë lidhje me pse unë jam këtu dhe në fakt me çfarë merrem duke u zgjuar i pari dhe duke rënë në gjumë i fundit?

– Ti mirë e ke gjigand, po keni gjet një popull të lodhur. Se ata që shpikën Senatin nuk ishin budallenj, dy mandate. Pastaj, sado i zoti të jesh konsumohesh, hapni krahun, politika e vjetër.

Kryeministri Edi Rama: Tani më fal budallenj ishin vëllezërit tanë gjermanë që mbajtën katër mandate 30 vitet e fundit, si thua? Budallenj ishin apo janë vëllezërit tanë hollandezë që e kishin 4 mandate kryeministrin. Kjo nuk ka lidhje fare, miku im me senatin, kjo ka lidhje me vullnetin nga njëra anë të kujt beson se ka akoma për të dhënë dhe nga ana tjetër dhe kryesorja të popullit që vendos nëse kush ja kërkon votën e meriton votën. Është shumë e thjeshtë.

Kështu që, mos bien prej këtyre kurtheve me “senat edhe me budallenj”, sepse s’është e vërtetë asnjëra dhe as tjetra dhe nëse ka një gjë që kurrë nuk mund të thuhet, dhe kush e thotë, bën një gabim shumë të madh për këtë popull, është që ky popull është budalla. Se ky popull të jep ujë në bisht të lugës, edhe kur vjen puna për politikën është njësh.
-Kryeministër kuptojmë shumë qartë, por me popullin mos u tall, se je i vetmi kryeministër në botë që vetëm çmimet ke ngritur dhe ul energjinë shumë qesharake.

Kryeministri Edi Rama: Tani e para punës një herë që çmimet nuk i ngre qeveria në asnjë vend demokratik dhe as nuk i ul qeveria në asnjë vend demokratik, që të jemi të qartë. E dyta punës në Shqipëri, dhe këtë nuk e them unë, këtë e thonë të gjitha të dhënat e organizmave ndërkombëtare, ne kemi pasur inflacionin më të ulët në rajon, pra rritjen më të ulët të çmimeve në rajon dhe nga ana tjetër, nëse ty të vjen për të qeshur për uljen e çmimit të energjisë, unë besoj që atyre që realisht i bien lapsit dhe atyre që realisht paguajnë faturën e energjisë në Shqipëri nuk i vjen për të qeshur, sepse është 10.5 % e çmimit që është ulur, se aq është ul një lek, po i gjithi, i gjithi është nëntë lek.

Pra, 9.5 lekë u ul një lek dhe u bë 8.5, një lek u ul, po 9.5 është, nuk është një mijë lek dhe u ul një lek, kështu që është 10.5% e çmimit të energjisë që është ulur dhe unë jam shumë krenar për këtë, sepse është një ulje që është atipike në një periudhë kohe, prej disa vitesh, tani më që askush nuk ul, vetëm ngre çmimin e energjisë. Kështu që, pse qenkam unë qesharak? Po s’ka problem nëse unë ty për të bëj për të qeshur shëndet, nuk ka asnjë problem, po e vërteta është kjo apo jo?

– Çfarë do bëni për të zgjeruar turizmin përtej sezonit veror?

Kryeministri Edi Rama: E vërteta është që turizmi është duke u zgjeruar përtej sezonit veror. Pra, nëse ne kishim një turizëm me një numër shumë të reduktuar muajsh dhe me një numër relativisht shumë të ulët turistësh, ne sot nuk e kemi më turizmin korrik, gusht, por e kemi, fillojnë hotelet e bregdetit qysh në prill dhe deri në tetor kanë turistë, ndërkohë që zgjerimi i përtej kësaj i turizmit tregohet edhe nga shifrat e nëntorit, nga shifrat e dhjetorit, nga shifrat e janarit e shkurtit, ku kemi rritje të numrit për, jo më arsye të plazhit, natyrisht, po Tirana është një magnet shumë i forte dhe patjetër, edhe qytetet që kanë trashëgimi kulturore, që kanë gjëra të tjera për të ofruar. E patjetër, edhe pastaj ka shumë akoma për të bërë për të atraktuar turistë edhe në periudhën e sezonit dimëror dhe për këtë arsye po nxisim edhe besoj që jemi shumë pranë nisjes të projektit të parë të rezortit të skive në Shqipëri.

-Ty s’ta merr asnjëri dhe më vjen keq, se prisnim të bëje diçka, por pas gjithë këtyre viteve korrupsion më shumë, meritokraci më pak, emigracion.

Kryeministri Edi Rama: Tani, edhe një herë tjetër, unë mendoj që ajo që ka më shumë rëndësi janë shifrat dhe faktet, dhe pastaj sigurisht që njeriu në rast të caktuara, beson çfarë do dhe jo çfarë duhet bazuar mbi të vërtetën dhe mbi faktet, por që thuash se ka më shumë korrupsion sot në Shqipëri se çfarë kishte, do të thotë që të thuash të pavërtetën më të madhe të mundshme. Për 1001 arsye, sot ka shumë më tepër luftë ndaj korrupsionit. Po, kjo është e vërtetë. Sot ka procese për korrupsion që s’ekzistonin më parë, po kjo është e vërtetë.

Po, këto procese nuk janë tregues që sot ka më shumë korrupsion. Sot, ka më shumë luftë kundër korrupsionit dhe po ata prokurorë që nuk erdhën nga hëna, po që ishin këtu dhe që s’kanë hapur në jetën e tyre një proces për korrupsion, sot hapin procese pas procesesh për faktin që iu është dhënë liri, iu është dhënë pavarësi dhe kanë mbështetje të plotë që ta bëjnë këtë punë. Kështu që, është një epokë tjetër kjo dhe për këtë arsye Bashkimi Evropian po na konsideron si anëtarët e tij të rinj në vitet në vijim, sepse jemi shumë seriozë në këtë gjë. Është shumë e qartë dhe shumë e thjeshtë kjo gjë.
Pyetje: Po ti gjysmën e qeverisë e ke në burg

Kryeministri Edi Rama: Po si i numëron njëherë e para punës? Me çfarë metri i numëron se faktikisht, për shkak se shqiptarët më kanë besuar këtë privilegj të jashtëzakonshëm që të drejtoj këtë vend dhe të shërbej si fuqi bashkë me Partinë Socialiste e transformimit të këtij vendi. Unë kam pasur në qeveri afro 60 ministra qysh nga viti 2013 dhe nuk e di më si bëhet ky numërim, se nuk është kështu, e para kjo. E dyta, edhe një herë, nëse ne kemi krijuar kapacitetin shtetëror për të goditur fenomenin kanceroz të korrupsionit, pavarësisht pozicionit të njërit dhe tjetrit, kjo është për të marrë frymë thellë dhe për t’u ndjerë më mirë, që më në fund u çlirua nga makthi i të jetuarit në një shtet, ku drejtësia nuk vepronte kurrë ndaj atyre që kishin pushtet apo kjo është për t’u turrur e për të thënë sa keq?

Nuk e di, domethënë nuk e di. Unë besoj që kjo është shumë e thjeshtë. Ky është vullneti i hekurt për t’u përballur me një sëmundje, duke pranuar që kjo sëmundje patjetër që prek edhe ata që qeverisin. Dhe ndërkohë që qeveris, duke lejuar dhe duke mbështetur një fuqi jashtë vetes, që është drejtësia e pavarur, për të bërë operacionet e veta në mënyrë që qeverisja të jetë e pastruar dhe në mënyrë që qeverisja të jetë e çliruar nga tentakulat e korrupsionit, që patjetër që qeverinë e prekin, patjetër që prekin ata që qeverisin, nuk diskutohet kjo kudo. Kudo kështu ndodh, por në qoftë se ne po e bëjmë këtë sot dhe tjerët e kanë bërë vite e vite më parë, kjo është të për të ndjerë të inkurajuar që më në fund po bëjmë një shtet të së drejtës, po bëjmë një shtet ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe kush po e bën këtë? Është fare thjeshtë kjo, besoj.

Pyetje: Është për të ardhur keq mungesa e infrastrukturës për trena gjithë këto vite, me siguri që do kishin qenë një vlerë
Kryeministri Edi Rama: Po është absolutisht kështu si thua, por përpara se sa të vijnë te trenat, duhet të dilnim njëherë nga gropa e madhe ku e gjetëm vendin në 2013. Duhet të dilnim nga borxhet e tmerrshme, duhet të dilnim nga pragu i kolapsit energjetik me një pikë 2 miliardë borxhe vetëm të OSHEE-së, duhet të dilnim nga gjithë ai zinxhir, të çlirohesh nga gjithë ai zinxhir borxhesh ndaj kompanive të ndërtimit të infrastrukturës për gjitha ato rrugët e hapura, edhe shiritat e prerë, dhe pastaj të lëna rrugëve pa financime, sot po, po i ndërtojmë dhe hekurudhat.

Së shpejti, hekurudha Tiranë-Durrës do të jetë funksionale na është dashur kohë e gjatë, sepse bëjmë me financimet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe janë procedura të gjata burokratike, etj., jo nga ana jonë. Dhe ndërkohë kemi në sistem edhe me financime dhe projektin e rrugës hekurudhës Durrës-Prishtinë, edhe projektin e hekurudhës Durrës-Hani Hotit, edhe projektin e hekurudhës së korridorit 8, Durrës-Pogradec. Kështu që të gjitha këto janë në proces, por është dashur koha për t’i vënë të gjitha në rrugë, sepse nuk bëhen dot të gjitha përnjëherë, aq më tepër nga aty ku ne e nisëm apo jo.

– Të lutem, insisto të mbarojë rruga e Arbërit.

Kryeministri Edi Rama: Rruga e Arbrit po insistojmë të mbarojë dhe do të mbarojë, por, siç e kemi shpjeguar, problemi i madh i rrugës së Arbrit ka dalë në tunelin e Murrizit, ku një gjeologji e pafavorshme krejtësisht ka bërë që të ndryshojë komplet qasja teknologjike dhe i gjithë tunelit të armatohet totalisht me hekur shumë më përtej asaj që ishte parashikuar, sepse ka pasur shumë prurje uji , por jemi shumë afër përfundimit. Dhe të gjithë ata që u bënë syri i keq i rrugës së Arbrit do të zhgënjehen sepse rruga e Arbrit do të përfundojë dhe do të jetë në dispozicion të popullit të Dibrës, me të gjitha standardet. Dhe më në fund, nuk do ketë më edhe ato problematika që shfaqen normalisht gjatë kësaj periudhe, kur për shkak të mosfunksionimit të tunelit të Murrizit duhet të përdorë ajo rruga kacavjerëse alternative që është e përkohshme.

Pyetje: Po flet për bursa 100 mijë lekë, po çfarë mund të bëjë studenti me kaq lekë në Tiranë?

Kryeministri Edi Rama: Tani nuk e di se sa duhet të jetë bursa për studentin, po unë di që të gjithë studentët në të gjithë planetin bëjnë edhe kur nuk i kanë ato mundësi që kanë, ata që kanë familje me të ardhura të larta, bëjnë shkollën, bëjnë edhe punën, dhe këtë bëjnë edhe shumë studentë këtu në Tiranë dhe këtu në Shqipëri. Dhe nga ana tjetër, atë që bëjmë ne, është, jo kjo që thotë, për shembull, Dritani, po si mund të paguajë studenti qera 500 euro, se nuk është pesëqind euro në qoftë se një natë në konviktet e reja për studentët kushton sa një kafe dhe një ujë, Nuk kushton muaji 500 euro. Kështu që duhet ti besh pak më ndryshe llogaritë i dashur Dritan dhe rroga bazë në Shqipëri nuk është 300 euro, se 300 euro nuk ka në Shqipëri, është 400 euro rroga minimale në Shqipëri dhe rroga pastaj mesatare është shumë e shumë më e lartë, dakord?

-Vërtetë besuam, pse jo, mund të besojmë përsëri se si thua vetë, je më i mirë ndër të këqijtë.

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk them jam më i mirë ndër të këqij. Them që ne nuk jemi më të mirët, se ka gjithmonë më mirë. Por, nuk do thotë që jemi ndër të këqitë, se nuk krahasohemi dot me disa të tjerë këtu. Po s’mund të them që s’jemi të zhgënjyer, pse? Sepse ai bufi që kukuron sot s’ju gjet ende vendi që meriton. Pse, miku im, lavdi Zotit! Koha kur gjykatën e bënte partia, koha kur dënimet i jepte qeveria, koha kur kryeministri apo kryetari i partisë caktonte se kush duhet të dënohej kush duhet të lihej i lirë, ka vdekur.

Sot është drejtësia që i bën këto gjëra dhe ajo që ne kemi bërë dhe që është historike dhe që ne sot jemi, nesër nuk do jemi unë, se ju do jeni patjetër është që do të mbetet gur kilometrik në formimin e shtetit modern shqiptar, fakti që drejtësia u çlirua nga krahët e politikës dhe që drejtësia është në gjendje që të futet në fushën ku vepron pushteti politik dhe të tërheqin nga ajo fushë ata që shfrytëzojnë pushtetin për përfitime të paligjshme. Ky është fakti i madh historik që është produkt i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Kështu që ai bufi dhe kuak-kuaket nuk janë problemi im, nuk janë problemi ynë në aspektin ligjor, janë problemi i drejtësisë, ndërkohë që janë problemi im dhe janë problemi ynë në aspektin politik, janë problemi i shqiptarëve që në 11 maj do të dinë ekzaktësisht se si do ta trajtojnë këtë problem, për këtë nuk kam pikën e dyshimit.
Them se u bëmë sot, për momentin, aq sa në një farë mënyre i ndamë disa gjëra dhe të enjten në mëngjes kemi përsëri. Kjo ishte prova e parë, besoj që nuk ishte, nuk ishte keq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA