“Një buf stërplak e ka kthyer opozitën në një kor zhabash”, Rama: Janë krijuar ca pellgje që s’kanë asgjë të re përveç moshës së pronarëve

03/02/2025 10:04

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën nisur nga komenti i një qytetareje në rubrikën “Sy m’Sy”.

Ndërsa e quan kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën një “buf i stërplak”, ai shprehet se tashmë opozita është kthyer në një kor zhabash.

Sipas kreut të qeverisë, vota e qytetarëve për opozitën do të çohet dëm në zgjedhjet parlamentare të 11 majit “sepse ata aty ku janë do jenë prapë”.

“Më vjen keq, por vetëm fakti sesi shpreheni për opozitën, nuk meritoni atë vend e atë popull”, shkruan komentuesja.

Rama: Ja, këtu, mirëmëngjes nga Partia Socialiste. E bukur kjo! Unë flas një herë në tre muaj, tre fjalë për opozitën dhe bëka kaq shumë përshtypje sa nuk meritokam të udhëheq atë vend dhe atë popull, siç shkruani ju nga jashtë.

Por çfarë meriton atëherë opozita e dashur Flora? Ma thoni dot? Opozita që tre vaktet në ditë merret me gjithë librin e shtëpisë time, me këdo i del përpara, me mua po e po.

Nuk besoj se është opozitë që ju përfaqëson juve dhe familjen tuaj, sepse nuk besoj se ju keni ndonjë problem me familjen time dhe nuk ma ha mendja që libri i shtëpisë time t’ju duket një program i mirë për ekonominë, punësimin, bujqësinë, arsimin, shëndetësinë e me radhë, për Shqipërinë.

Pastaj ju Flora jeni jashtë, dhe kjo kënetë në sytë e të huajve është një turp dhe kurrsesi nderi i Shqipërisë çmohet dhe respektohet si kurrë më parë. Apo jo? Ju jeni vetë dëshmitare.

Unë s’jam marrë thuajse fare me opozitën. Erdhe në Parlament, i kam lënë të merren me librin e shtëpisë time, të më ulin e më ngrenë, kriminel e hajdut, e të mi hedhin mua në kurriz të gjitha të zezat që kanë bërë vetë.

Pasi kanë hedhur baltë, brenda e jashtë Shqipërisë, për Shqipërinë, nga këneta e tyre dhe kanë bërë çmos ta pengojnë këtë vend, tani duan edhe votën. Prandaj do merrem pak edhe me to, apo jo. Por ama, me shqipen e mësuesve të mi të Nolit, Konicës dhe Fishtës, dhe asnjëherë me baltë e shpifje, me librin e shtëpisë dhe familjen. Asnjëherë në nivelin e asaj kënete.

Më vjen keq, Flora! Kur një buf i stërplak e ka kthyer opozitën në një kor zhabash, ditë e natë, i rroka nisën shqiptarët. Për dreq, ajo kënetë ka krijuar edhe ca pellgje opozitash të reja, që nuk kanë asgjë të re, përveç moshës së pronarëve të tyre, që të gjithë imitojnë bufin stërplak.

Kush do të votojë verbërisht ‘kuak, kuak, kuak’, le t’i votojë, por dy gjëra ama nuk ndryshojnë dot. E para, vota për ta është e çuar dëm sepse ata aty ku janë do jenë prapë. Dhe e dyta, vota për ta nuk sjell asnjë ndryshim, sepse sa të jetë ajo kënetë, në mes të mexhlisit tonë, nuk ka dot Shqipëria opozitë reale, sfiduese, europiane dhe fituese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA