Kreu i ekzekutivit ishte këtë pasdite i pranishëm në prezantimin e “Plug and Play”, një platformë e mirënjohur globale për mbështetjen e Startup-ve, me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e pozicionuar tek Piramida.
Kjo platformë do t’u japë mundësinë sipërmarrësve të rinj shqiptarë për startup-et e tyre që të rriten, të tërheqin investime kapitale, të pilotojnë teknologjinë dhe të forcojnë praninë në tregjet lokale dhe globale.
“Plug and Play” nuk do të jetë një platformë vetëm për Shqipërinë, por ka aspirata më të mëdha për sa i përket prezantimeve të start-up-eve, duke u bërë qendër rajonale për zhvillimin e teknologjisë dhe mbështetjen e tyre,” u shpreh Uranik Begu, drejtori i “Plug and Play” për Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë Rama tha se “e kemi nisur nga bishti me një numër qesharak dhe disfunksional shërbimesh dhe nëse sot, ne kemi në platformën e shërbimeve publike mbi 3 milionë përdorues, individë apo biznese, e kemi nisur me më pak se 50 mijë përdorues”.
Kreu i qeverisë inkurajoi të gjithë të rinjtë që duhan të jenë pjesë e fushës së biznesit, duke thënë se kjo platformë është e duhura.
Rama nuk i ka kursyer as ironitë për opozitën dhe akuzat për çështjen “Butrinti”.
“Qeveria dhe ADF-ja “janë pjesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit”. Kështu që, nëse do të shikoni në internet Parkun arkeologjik, Amfiteatrin e Butrintit, historinë, mos u nisni atje, se “atje nuk ka gjë”. “Gjithçka është marrë edhe është çuar diku” dhe falë këtij fakti “kemi përfituar edhe shumë para që nuk dimë ku t’i çojmë, edhe i hedhim kot për këto lodrat “plug and play” dhe ça janë këto të tjerat”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama:
Nuk besoj se gjenden në këtë qytet shumë njerëz, që mund të ngrenë dorën dhe të thonë që “Po, mua më kishte shkuar në mend që në vitin 2025, në Tiranë do të vinte të stacionohej Plug&Play” një platformë globale që ka nxjerrë shumë kolosë të teknologjisë digjitale dhe që do ta zgjidhte Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, si qendrën e vet për këtë pjesë të botës, duke u bërë një portë e hapur për të gjithë vajzat dhe djemtë, jo vetëm të vendit tonë, por të gjithë rajonit që kanë ëndrra dhe ambicie për t’u bërë të mëdhenj në botën digjitale, ku askush nuk ka, as nga asnjë formë ose mënyrë asnjë pengesë të natyrës diskriminuese.
Në këtë botë nuk ka rëndësi ku je, nuk ka rëndësi kush je, nuk ka rëndësi çfarë ngjyre ka lëkura jote, çfarë feje i përket apo nëse e mallkon Zotin nga mëngjesi deri në darkë, çfarë gjuhe flet, ka vetëm një gjë rëndësi, çfarë fantazie dhe aftësie ke për t’u dalluar nga të tjerët.
Nga ana tjetër, sigurisht që ka një gjë që duhet dhe gjëja që duhet është aksesi në hapësira si kjo e Plug&Play dhe unë jam shumë i emocionuar sot, jo se më kanë munguar eventet për të pasur emocione, por sepse në rastin konkret është vërtetë një gur shumë i rëndë kilometrik në rrugën e transformimit rrënjësor të Shqipërisë dhe në të përpjetën që kemi akoma për t’u ngjitur në majën e 2030.
Sot jemi këtu, shumë pak orë më parë ishim në hapjen e derës së Institutit të Teknologjisë së Rochesterit, po në Tiranë. Një ditë më parë ishim në hapjen e derës së Qendrës së Trajnimit për Prodhimet Audiovizuale, edhe ajo me partnerë amerikanë nga Kalifornia, njerëz që vijnë nga industria më e madhe e prodhimeve audiovizuale në botë dhe po ashtu përfaqësues të kompanive të mëdha HBO, Netflix, e kështu me radhë që mbështesin qendrën.
Jo shumë metra nga këtu po bëhet gati të hapë dyert “Shkolla 42” “Ecole 42” , një tjetër hapësirë e jashtëzakonshme e krijuar në Francë që ofron edhe ajo mundësi njohjeje dhe dije për të gjithë ata që duan të eksplorojnë pafundësinë e botës digjitale. Pak metra të tjerë më lart, por në këtë rast duhen ngjitur shkallë është qendra e ekselencës për më të vegjlit, Tumo, e cila mirëpret shumë fëmijë dhe përfitoj nga rasti që ta përsëris që është në gjendje të mirëpresë akoma më shumë dhe të gjithë ata fëmijë nga 12 në 18 vjeç që dëshirojnë të hyjnë në botën e teknologjisë janë të mirëpritur dhe falë bashkëpunimit të fondacionit Shqiptaro-Amerikan me bashkinë e Tiranës, kurset ofrohen tërësisht falas.
Është vërtetë e bukur ndjesia që mund të vazhdoj të numëroj në një fushë, ku ne ishim më mbrapa nga të tërë. Ndërkohë që sot ne kemi pozicionin më të përparuar në qeverisjen digjitale në të gjithë rajonin dhe jemi në pjesën e sipërme të klasifikimit edhe në Europë dhe kjo, jo e thënë nga ne, por e nxjerrë në të gjitha klasifikimet sepse ofrojmë 95% të shërbimeve publike online dhe praktikisht kemi kryer, falë sistemit të ri që kemi ndërtuar mbi 45 milionë shërbime në total, që janë mbi 45 milionë kontakte personash me persona, janë mbi 45 milionë qëndrime në radhë, janë mbi 45 milion rrugë për të shkuar deri tek zyra atje ku për të marrë shërbimin janë mbi 45 milionë shanse të humbura për çdo formë ryshfeti dhe bakshishi.
E kemi nisur nga bishti me një numër qesharak dhe disfunksional shërbimesh dhe nëse sot, ne kemi në platformën e shërbimeve publike mbi 3 milionë përdorues, individë apo biznese, e kemi nisur me më pak se 50 mijë përdorues. Edhe ata, që thjesht dhe vetëm ishin regjistruar, po nuk është se merrnin shërbime.
Është një transformim rrënjësor të mendosh që në pak javë akoma, ne çelim dyert e një parku teknologjik që do të mirëpresë të gjithë startup-et apo kompanitë që funksionojnë në botën dixhitale me legjislacionin më favorizues në të gjithë këtë pjesë të Europës. Dhe që tani kanë filluar shumë interesime nga kompanitë, qoftë nga kontinenti ynë, qoftë edhe deri nga Shtetet e Bashkuara, për t’u vendosur në atë park, i cili është midis Tiranës dhe Durrësit dhe quhet “Durana” Tech Park. Po ashtu, po përgatisim dhe bashkë me ADF-në do i japim jetë dhe “Vlora Tech Space” në qendrën që po përfundon së ndërtuari në Vlorë.
TUMO-ja do të spostohet, do të vendoset apo do të degëzohet, po themi, jo se do iki nga këtu, po do rritet edhe në Shkodër, edhe në Elbasan e kështu me radhë.
Në të gjitha shkollat do të kemi brenda një periudhe 2-vjeçare Laboratorët Smart. Ka filluar vendosja e tyre dhe në mënyrë të vazhdueshme vendosim fazën e parë, e kemi përmbyllur me ADF-në dhe për ata që nuk e dinë pse ADF-ja ka gjithë të akses, është se jemi midis nesh këtu, që të jemi transparent, është sepse qeveria dhe ADF-ja “janë pjesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit”. Kështu që, nëse do të shikoni në internet Parkun arkeologjik, Amfiteatrin e Butrintit, historinë, mos u nisni atje, se “atje nuk ka gjë”. “Gjithçka është marrë edhe është çuar diku” dhe falë këtij fakti “kemi përfituar edhe shumë para që nuk dimë ku t’i çojmë, edhe i hedhim kot për këto lodrat “plug and play” dhe ça janë këto të tjerat”.
Po këtë mbaheni për vete, ju lutem se na kanë vënë mbrapa një kanarinë që na këndon sa herë na sheh. Më shumë e kam merakun e Martinit dhe të Sandrit. Se Martini që është njeri me shumë humor, sa herë përmendet kjo, nuk qesh kurrë, se vetëm tmerrohet. Nuk ka gjë më të keqe në jetë se sa të bëjnë stalking.
Thënë të gjitha këto, unë uroj shumë që edhe këtu “Plug and Play” të nxjerrë një unicorn të paktën, por ama e di shumë mirë që po doli këtu një unicorn, do ta ketë bririn më të madh nga të gjithë, sepse ne shqiptarët jemi me dy brirë, kështu që do jetë një bri mbi tjetrin dhe do jetë unicorni i llahtarshëm. Po doli! Dhe ka vetëm një premisë që të dalë që shqipot e vegjël këtu mos ia ngulin brirët njëri-tjetrit, po të shohin vetëm përpara.
Dua të falënderoj Uranikun! Dua të falënderoj shumë për kontributin tënd personal në këtë sipërmarrje për ta vendosur në Tiranë këtë qendër, e di që ke bërë ca luftëra të brendshme, sepse kishe ca tundime për të shkuar në ca kryeqytete të tjera, po t’i kemi dhënë dhe ne argumentet në fakt për t’i sjellë në Tiranë, kështu që në fund të fundit, i ke sjellë në qytetin me aeroportin me rritjen më të lartë në Europë. Kështu që, nga një aeroport që ishte kotec pulash në kohën kur ai aeroporti tjetër në veri ishte qendra rajonale, sot kemi një aeroport pothuajse unicorn këtu në Ballkan.
Edhe siç themi ne nga anët tona, për të mira e gëzime!
Dua të falënderoj edhe Katerinën është shumë e vërtetë kjo që tha Martini. Francezët për të marrë janë të vetmit, se nuk kanë lënë vend pa shkuar, pa bërë koloni, po për të dhënë, nuk është se shquhen dhe fakti që na kanë ardhur 3 milionë nga Franca na gëzon, por Martin, kujdes vigjilencë, se kur të japim tre, plani afatgjatë është të të marrin 30, se ku, kjo nuk dihet, se nuk ka kolonizator budallenj ta dish.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Top Channel