Klubet shqiptare thyejnë rekordin e blerjeve dhe përfitimeve, lënë pas Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut

31/01/2025 15:22

Në këto ditë të fundit të janarit të vitit 2025, FIFA publikoi një raport analitik që lidhet me transfertat e zhvilluara gjatë vitit 2024.

Sipas këtij raporti ndërkombëtarë, FIFA njofton se në vitin e shkuar janë regjistruar më shumë se 78 mijë transferimet e lojtarësh që është një shifër rekord, jo vetëm për numrin e transferimeve por edhe atë të shpenzimeve të kryera për shërbimet e këtyre lojtarëve, një shifër që shkon në nivelin e 8.59 miliardë dollarësh.

Por nisur nga fakti që ky raport është global, padyshim që në mes këtyre shifrave marramendëse bën pjesë edhe futbolli ynë.

Në vitin e shkuar në futbollin shqiptarë është arritur edhe rekordi i blerjeve të lojtarëve të huaj, 220 futbollistë, kjo me gjasë justifikon edhe shtimin e numrit të të huajve që mund të përdoren në një ndeshje futbolli të kampionatit tonë nga 4 në 7 të tillë duke filluar nga ky janar i vitit 2025.

Kjo blerje e një numri të lartë lojtarësh nga klubet shqiptare sigurisht tregon edhe një gjendje relativisht të mirë financiare për investitorët e futbollit tonë, pasi nga shitjet e lojtarëve në vitin 2024, klubet shqiptare kanë përfituar 3.9 milion dollarë, dhe kjo vetëm për 138 futbollistë të shitur.

Shifra optimiste këto që tregojnë jo vetëm një rritje të vlerës së futbollistëve të rritur e formuar në Shqipëri, por edhe në përmirësimin e nivelit të skautëve apo presidentëve të futbollit shqiptarë, për të zgjedhur elementë edhe të huaj, të cilët me kalimin e kohës arrijnë t’i shesin më shtrenjtë.

Futbolli ynë ka një përmirësim të dukshëm edhe në shitje edhe në përfitimin nga këto shitje.

Ndoshta në vlerën totale të këtij tregu botëror ne mund të jemi një pikë në mes të oqeanit, por në të vërtetë krahasuar me vitet e më parëshme dhe me shtetin e Kosovës, pavarësisht përfitimeve në rritje të investitorëve të tyre në saj të ligjit të sponsorizimit që ne nuk e kemi në funksion, ku në këtë sezon kishin shifra shumë të mëdha të përfituara për futbollin vendas, por në tregun e madh mbeten ende prapa.

Lëvizjet mes shitjeve dhe blerjeve të lojtarëve në shifra në futbollin tonë janë më të larta, ashtu si edhe shpenzimet dhe përfitimet. Por nëse në shpenzime jemi thuajse të ngjashëm, mes 184 mijë dollarëve dhe 181 mijë dollarëve të presidentëve të Kosovës, në përfitime drejtuesit e klubeve shqiptare të futbollit, kanë thyer rekord, jo vetëm duke lënë pas Kosovën me 1.3 milion dollarë diferencë, por edhe Maqedoninë e Veriut, me që jemi tek rajoni që ka shpenzuar sa dyfishi jonë dhe ka përfituar nga shitjet vetëm diçka më tepër se 800 mijë dollarë.

Ndërkohë në futbollin e femrave shifrat janë dukshëm shumë poshtë, në transferta me 13 lojtare të blera dhe vetëm 4 të shitura, të gjitha këto lëvizje kanë qenë me zero para të fituara apo shpenzuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA