Dy specialistë të sektorit të inxhinierisë klinike në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza u dërguan për gjykim për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ lidhur me zjarrin që ra në këtë institucion në shkurt 2024.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës thotë se specialistët nuk kanë zbatuar detyrat e përcaktuara në rregulloren e institucionit si funksionimin e sigurtë dhe në përputhje me standardet përkatëse të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, ku përfshihen UPS-të dhe bateritë, pjesë integrale e pajisjeve mjekësore;
Nuk kanë planifikuar dhe ndjekur me përgjegjësi kryerjen e mirëmbajtjes së aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, në përputhje me udhëzimet e prodhuesve e konkretisht të UPS-ve dhe baterive dhe nuk kanë parashikuar dhe nuk kanë hartuar projektin teknik lidhur me ventilimin, ajrimin e vendosjen e UPS-ve, raportin teknik të projektimit dhe zbatimit nga zjarri në vendin ku do vendosen UPS-të dhe bateritë.
Nga aktet e administruara, thotë Prokuroria, ata kanë qenë në dijeni të faktit që UPS-të dhe bateritë janë vendosur në katin 2-të godinës të Urgjencës se re, jashtë kushteve teknike dhe standardeve që kërkohen nga prodhuesi, për instalimin dhe funksionalitetin e tyre, megjithëse e kanë patur si detyrë funksionale dhe ofrimin e konsulencës teknike.
Nga akti i ekspertimit teknik elektrik, del se shkaku i shkatërrimit nga zjarri i godinës së “Urgjencës së Re” në QSUNT ka qenë “mungesa e një projekti të detajuar të instalimit të stacionit të burimit emergjent UPS, të kushteve teknike të sigurisë për zhvendosje dhe instalim si dhe mungesa e zbatimit të kushteve teknike, standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri të instalimit të burimit emergjent të UPS, raftit baterive dhe kushteve ambientaliste të shfrytëzimit të tyre”.
Për shkak të zjarrit, urgjenca e QSUT qëndroi jashtë funksionit për rreth katër muaj.
Top Channel