Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Meshën e Përshpirtjes së Kryepeshkopit Anastas Janullatos, vlerësoi kontributin e Tij për Kishën Ortodokse Autoqefale në Shqipëri.
Anastas punoi 33 vite për Shqipërinë, aq sa jetoi Jezu Krishti tha Rama, dhe gjatë këtyre viteve ringjalli ortodoksinë dhe punoi në ngritjen e ngrehinës së shkrumbuar të Kishës.
“Komuniteti ortodoks është sot në zi, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare është sot e ve. Kryepeshkopi e përfundoi detyrën e tij si pasrendës i apostujve në shërbim të ortodoksëve të Shqipërisë. Jeta e tij qe një jetë për mbarë Kishën, plot 33 vite ungjillëzim në viset e Shqipërisë, nga 1992 e deri më sot, janë një shifër tejet domethënëse. Simbolikë e përbashkët me moshën e Jezu Krishtit. 3 vite ringjalli ortodoksinë dhe 30 vite të tjera punoi në ngritjen e ngrehinës së shkrumbuar të Kishës Autoqefale.
Jeta e Anastasit ishte tërësisht e përmbushur, përderisa përmes saj, u realizua ëndrra e një fëmije. Kur isha fëmijë, kujtonte Kryepeshkopi, nuk më mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, por duhet t’i jepesha tërësisht. Veprat e tij në krye të Kishës janë qëmtuar, admiruar, bekuar, qortuar dhe deri anatemuar. Janë shfaqur pasionet më kontradiktore kur ka ardhur puna te veprimtaria që mori përsipër dhe zjarret e fqinjësisë sonë fëmijërore. Kjo dëshmon për stoicizmin e bariut, në një kohë kur gjithnjë e më shumë ka nga ata që shkojnë nga fryn era. Përtej atyre zjarreve të ndezur dhe të shuara më pas si një hall në oborrin e përbashkët, përtej dyshimeve në lagjen tonë ballkanike, askush nuk e ve dot në dyshim autencitetit e bariut”.
Kryepeshkopin Anastas, Kishës Ortodokse të Shqipërisë ia patën zili njerëz të nderuar të fesë e kryetarë shtetesh, shtoi kreu i qeverisë.
“Gjithë çfarë mban rruzulli me njerëz të nderuar të fesë, përmes dialogut ndërfetar, deri te çdo kryetar shteti që njohu, ia patën zili Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Me siguri këtë opinion bashkëndan me mua edhe kryeministri Mitsotakis, që vjen sot për të nderuar Kryepeshkopin dhe Kishën Ortodokse të Shqipërisë. Duke dhënë mesazhin e pandashmërisë mes dy vendeve në ditë të bardha dhe ditë të zeza”.
Top Channel