Pezullimi i fondeve, DASH: SHBA 70 miliardë dollarë çdo vit, duhet transparencë veçanërisht kur shpenzohen jashtë vendit

29/01/2025 19:34

Departamenti Amerikan i Shtetit ka sqaruar urdhrin e Presidentit Donald Trump për ngrirjen e fondeve për vendet e huaja, përfshi dhe Shqipërinë.

DASH thekson se janë ndaluar 1 miliard dollarë shpenzime që nuk përputhen me agjendën e Presidentit Trump “America First”.

Zyra e Shtypit e DASH sqaron janë hequr fondet për programet që nuk e bëjnë Amerikën më të fortë, më të sigurt apo më të pasur, duke shtuar se klasifikimi është bërë në bazë të disa kritereve, si: Emri i Zyrës/Departamentit/Misionit; Emri i Programit; Përshkrimi i Programit; Vendndodhja e Programit; Rezultati i Parashikuar i Programit; Justifikimi për Përjashtimin; Informacioni financiar dhe i alokimeve.

“Pauza dhe rishikimi 90-ditor i shpallur më parë për ndihmën e huaj të SHBA-së tashmë po jep rezultate për vendin dhe popullin tonë. Po eliminojmë shpenzimet e panevojshme. Po bllokojmë programet “woke”. Dhe po zbulojmë aktivitete që janë kundër interesave tona kombëtare”, sqaron Departamenti i Shtetit.

DASH thekson se SHBA po shpenzon rreth 70 miliardë dollarë në ndihmë të huaj çdo vit, ndaj dhe meriton transparencë e llogaridhënie për çdo dollar, veçanërisht kur ai shpenzohet jashtë vendit dhe jo brenda.

“Një pauzë e përkohshme, me përjashtime të arsyeshme për situata që rrezikojnë jetën, është mënyra e vetme për të shqyrtuar dhe parandaluar shpenzimet e panevojshme”, thuhet në njoftim.

Më tej, DASH shton se financimet që lejohen të vazhdojnë janë ndihmat emergjente për ushqim, medikamente shëndetësore, shërbime mjekësore, ushtrim, strehim dhe ndihmë për mbijetesë, si dhe furnizime dhe shpenzime administrative të arsyeshme për të ofruar këtë ndihmë. Gjithashtu, sipas DASH, janë bërë përjashtime për sigurinë kombëtare, përfshirë sigurinë për mbrojtjen e personelit amerikan në terren apo për të lehtësuar lëvizjen e emigrantëve ilegalë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA