Referuar projektit të 100 fshatrave ndërhyrja në Karpen do të ishte shumë-dimensionale.
Ajo do të fokusohej në infrastrukturën e domosdoshme, që përfshin kanalizime, ujë dhe drita. Gjithashtu parashikonte ta kthente në një treg të madh artizanal dhe të produkteve bujqësore rrugën e braktisur të fshatit. Kjo ishte menduar si një mënyrë për të joshur turistët që synojnë bregun e këtij fshati.
‘Një pjesë e mirë të punës nuk ka të bëjë me turizmin, por me jetën e njerëzve aty brenda. Përmirësohet jeta e njerëzve, që më pas, me ndihmën e qeverisë, arrijnë ta ngrenë imazhin e fshatit të tyre në atë nivel që kthehet në pikë reference’ u shpreh Pano Soko, ekspert ekonomie
Nga vëzhgimi i Inside Story fshati vuan ende mungesën e ujit, dritave dhe përmbytjeve, shumë larg ambicies së qeverisë për ta kthyer në një fshat turistik.
Fshati i njohur për plazhin e Gjeneralit që pret mijëra turistë në vit, ka këtë qendër shëndetësore. Siç shihet ajo është pa dritare dhe pa energji elektrike… Banorët duhet ti drejtohen qytetit të Kavajës për probleme shëndetësore.
Depoja e Kripës e ndërtuar në shekullin e 17-të, një monument natyror i kategorisë së parë, i shënjuar si një nga atraksionet kulturore për turistët noton mes baltës dhe harresës.
Historia e banorëve që jetojnë pranë lumit të Darçit që kalon mes për mes këtij fshati të kujton personazhet e Lumit të Vdekur të Jakov Xoxe në vitet 1930.
Sa herë bie shi, ujërat e lumit dalin nga shtrati dhe përmbytin rrugë e shtëpi. Kur Inside Story vizitoi këtë zonë në mes të janarit, gjurmët e përmbytjeve nuk ishin tharë ende.
Megjithëse ata janë ankuar vazhdimisht për këtë problem, bashkia nuk e ka pastruar asnjëherë shtratin e këtij lumi.
Në këtë pjesë të fshati nuk ka ardhur ende as uji i pijshëm. Banorët kujtojnë se u ndërtua ujësjellësi i ri para disa vitesh, u erdhi ujë për pak muaj dhe pësoi një defekt që e ka lënë jashtë funksioni sot e kësaj dite.
Top Channel