I vetmi vend që pas Luftës së Dytë Botërore numëronte më shumë hebrenj se para saj, Shqipëria u dhuroi strehë dhe u fali dashuri në vitet më të errëta të historisë për ta.
Kur Gjermania naziste nisi vrasjet masive të hebrenjve në Evropë, fati e deshi që Leon Jakoel dhe Rashel Vituli, dy kineastë izraelitë, të gjendeshin në Shqipëri. Leoni emigroi nga Janina drejt vendit tonë për të zgjeruar tregtinë, ndërsa familja e Rashel u vendos në Gjirokastër. U dashuruan dhe krijuan familjen e tyre, që lulëzoi në vendin që i mbrojti pa kushte. Për Top Channel, djali i tyre, rrëfen…
“Lufta e Dytë Botërore i gjeti të dy prindërit e mi në Shqipëri, nënën time në Gjirokastër dhe babain tim në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Në ato vite i ndihmuan që të ndryshojnë dhe pasaportat dhe emrat, baba im quhej Leon, ia bënë emrin Luan. Plot nga njerëzit tanë ndryshuan emrin”.
Peisazhi ishte krejt i zymtë jashtë territorit shqiptar. Josef Jakoel nuk njohu kurrë shumë familjarë, që mbetën në Janinë dhe ranë në duart e nazistëve.
“Para Luftës së Dytë Botërore, në Janinë jetonin më shumë se 2000 hebrenj, nga të cilët vetëm 164 u kthyen të gjallë nga kampet e përqendrimit. Ndërmjet të cilëve dhe xhaxhai e tezja ime histori absurde po të mendosh që Gjirokastër, në një vijë ajrore prej dhjetëra kilometrash, jetonin 4 familje hebre që nuk u cenuan. Kam me dhjetëra fotografi në shtëpi dhe kur isha fëmijë pyesja babanë kush ishin. Më thoshte ky është xhaxhai, ky kushëriri. Më tregonte se janë vrarë në kampet e përqendrimit. Nga gjyshi im s’kisha fatin të njihja asnjë”.
Mes emocionesh, Jakoel kujton brengën e prindërve, që jetuan me dhimbjen e madhe për humbjen e njerëzve të dashur, në mënyrën më mizore.
“Prindërit e mi jetonin dhimbje të madhe, humbën një pjesë të konsiderueshme të familjeve të tyre. Më kujtohet nëna ime, vëllezërit, dajat e saj, të martuar e me fëmijë. U shfarosën familjarisht. Nga familja e gjyshit të nënës sime s’kam njohur asnjë”.
Shqiptarët u dhanë besën hebrenjve, me heroizmin e tyre u bënë shembull i jashtëzakonshëm humanizmi. Izraelitët që jetuan gjatë në vendin tone, nuk kanë nevojë të shprehen, sytë u reflektojnë mirënjohje…
“Nga nëna ime e ndieja gjithnjë mirënjohjen e thellë që kishte për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kishin jashtëzakonisht respekt. Kur e kujtoj, them se respekti i thellë vinte nga mirënjohja e thellë që kishin prindërit e mi për atë sjellje fisnike që bënë shqiptarët”.
Top Channel