Përzgjedhja e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike po shoqërohet zëra kundër.
Idesë që drejtuesve politik të qarqeve t’i nënshtrohen votës së anëtarësisë, i dha zë edhe deputetja Dhurata Çupi. Por, Sali Berisha, fatin politik të tyre ia ka lënë në dorë Këshillit Kombëtar.
“Së pari, nuk po orientoj asgjë sepse statuti është statut dhe unë nuk kam tagër që të tejkaloj statutin. Por, organi që ka tagër të tejkalojë statutin, midis dy konventave, është Këshilli Kombëtar. Dhe unë u kam thënë se do vendosë Këshilli Kombëtar se si do veprohet me drejtuesit e qarqeve. Nga ana tjetër, është shumë normale në një parti demokratike, të shprehen mendime të ndryshme”, tha Berisha.
Për krerët degëve, dorëheqja nga posti ishte detyrim. Kreu i demokratëve sqaroi dhe variantet sesi do zhvillohet gara e brendshme e primareve: “5 kanë dhënë dorëheqjen. Një kryetar dege që s’jep doreheqjen s’futet në primare. Do ketë tre variante. Ka një variant që të jenë degësh. Ka një variant tjetër që të jenë qarku. Ka një propozim që të jenë listë kombëtare”.
Primaret nuk ishin kryefjala e vetme e konferencës së Sali Berishes. Ai denoncoi ndryshimin e trupës gjykuese në gjykatën e lartë që shqyrton dosjen e ish-deputetit Ervin Salianji.
“Ndryshimi nga Rama-Xhafaj me përsëritje të shortit në prag të seancës së gjykimit, duke i dorëzuar shortin Sokol Binajt, një militant i vjetër i PS, i shumënjohur si i tillë, pasaardhës i një ish-xhelati të diktaturës komuniste, dhe caktimi i tij jashtë çdo lloj parashikimi dhe procedure, duke ndryshuar shortin me short, tregon tmerrin që kanë klani Xhafaj dhe klani Rama ndaj denoncimit të Ervin Salianjit”, tha lideri i demokratëve.
Sali Berisha iu rikthye akuzave në adresë të kryebashkikaut Veliaj dhe bashkëshortes së tij, ndërsa konfirmoi udhëtimin drejt Gjermanisë për herë të parë pas heqjes se masës së sigurisë arrest shtëpie, për të marrë pjesë në Kongresin elektoral të CDU.
Top Channel