Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka ndarë një mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Ndër të tjera ajo shprehet se nuk mund të rrish duarkryq “para gjakut të fqinjit tënd”!
“Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, për ne shqiptarët është një ditë e jashtëzakonshme. Në këtë ditë ne ndjehemi krenarë për miqësinë, dashurinë dhe mbrojtjen e hebrenjve.Lidhjet e shqiptarëve me hebrenjtë janë të hershme e historike.
Shqipëria ishte i vetmi vend, i cili në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kishte më tepër hebrenj se në fillim të saj. Është fakt i njohur botërisht se në Shqipëri hebrenjtë u mbështetën dhe u mbrojtën nga të gjithë shqiptarët, populli dhe institucionet, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësive fetare.
Për nga kontributi për mbrojtjen dhe mbështetjen e hebrenjve, Shqipëria është njohur e vlerësuar si një atdhe tjetër, atdhe rezervë, për ta.
Rezoluta mbi Antisemitizmin, miratuar nga Kuvendi dhe Forumi i Parë Ballkanik kundër Antisemtizmit, organizuar nga Kuvendi në tetor 2020, e kanë bërë Shqipërinë lidere rajonale në luftën kundër antisemitizmit.
Antisemitizmi, si një zëdhënës i urrejtjes, ndarjes, luftës dhe armiqsisë, nuk drejtohet vetëm kundër hebrenjve, por kundër të gjithë qytetërimit, kundër vlerave të cilat ne mbrojmë dhe lartësojmë: dashurisë, bashkimit, paqes e solidaritetit mes njerëzve dhe mes popujve. Shkrimet e shenjta hebreje janë, mes të tjerash, një udhëzues i mëkimit me këto vlera njerëzore. “Nuk mund të rrish duarkryq para gjakut të fqinjit tënd”, shkruhet, mes të tjerash, në këto mësime.
Ne, shqiptarëve, na bën krenar fakti që mbrojtja e hebrenjve në trojet tona mësohet nga nxënësit e shkollave në Izrael, si një mirënjohje për marrëdhënien tonë të veçantë përgjatë shekujve”, shprehet ajo.
Top Channel