Deputeti Edi Paloka në një konferencë për mediat tha se Unioni Ndërparlamentar (IPU), organizata më e madhe ndërkombëtare ku përfaqësohen 181 Parlamente nga e gjithë bota, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm i ka dërguar kryetares së Kuvendit një letër lidhur me masën ndaj kreut të PD, Sali Berisha.
Ai theksoi se rasti ” Berisha” përbën shkelje dhe abuzim të rëndë me të drejtat e deputeteve të një Parlamenti evropian.
Paloka: Nga 30 tetori i vitit të shkuar Unioni Ndërparlamentar (IPU), organizata më e madhe ndërkombëtare ku përfaqësohen 181 Parlamente nga e gjithë bota, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm i ka kërkuar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë të pranojë një mision faktmbledhës për çështjen e përndjekjes së liderit të opozitës Sali Berisha!
Pas më shumë se dy muajsh Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë nuk ka denjuar as t’i kthejë përgjigje Sekretarit të Përgjithshëm të IPU që është dhe funksionari më i lartë i Unionit! Është e qartë që kemi të bëjmë me një qëndrim politik të urdhëruar nga Edvin Rama, autori dhe ekzekutori i përndjekjes politike të Sali Berishës! Kryetarja e Parlamentit nuk do të guxonte të mbante një qëndrim të tillë ndaj Organizatës më të madhe botërore Parlamentare pa qenë urdhëruar nga shefi i saj politik.
Si anëtar i delegacionit shqiptar në IPU, unë bashkë me anëtarë të tjerë të delegacionit jemi thërritur në seanca pyetjesh prej Komitetit të të Drejtave të Njeriut për Parlamentarët në Unionin Ndërparlamentar! Ky komitet shqyrton me përparësi pikërisht shkeljen dhe abuzimet e rënda me të drejtat e deputetëve në gjithë shtetet e botës! Si zbatim të këtyre detyrave dhe kompetencave Komiteti ka marrë në shqyrtim dhe çështjen e shkeljes flagrante dhe persekucionit politik ndaj liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha!
Në këtë kuadër Komiteti i Të Drejtave të Njeriut për Parlamentare ka informuar Komitetin Ekzekutiv, organin më të lartë ekzekutiv të IPU, lidhur me çështjen e Sali Berishës dhe Komiteti Ekzekutiv ka marrë vendim që të dërgojë një mision në Shqipëri për këtë çështje. Vetë Sekretari i Përgjithshëm i IPU ka dërguar kërkesën e tij formale tek Elisa Spiropali e cila siç e thashë më lart, duket se ka marrë urdhër për të injoruar këtë kërkesë!
Si anëtar i delegacionit shqiptare në IPU , dua t’ju informoj se në kaq vite është rasti i parë që IPU detyrohet të shqyrtojë një çështje që ka të bëjë me shkelje dhe abuzim të rëndë me të drejtat e deputeteve të një Parlamenti evropian. Përveç disa rasteve në Rusi dhe Turqi të cilat nuk janë vende kandidate për në BE, të gjitha rastet e tjera të shkeljeve të të drejtave të deputeteve ju përkasin vendeve të Afrikës!
Pas rezolutave të njëpasnjëshme te EPP, IDU dhe ICD të cilat dënojnë ashpër narkoregjimin e Ramës dhe i japin mbështetje të plotë opozitës shqiptare dhe liderit të saj Sali Berisha në përpjekjet për rrëzimin e regjimit dhe rikthimin e demokracisë në Shqipëri, shqyrtimi i shkeljes së të drejtave të njeriut nga një organizate globale si IPU është një goditje që Rama po përpiqet që ta shmangë e ta fshehë nga opinioni publik.
I mësuar për vite të tëra të blejë influenca dhe mbështetje nga Mc Gonigalët nëpër botë, tani që është demaskuar dhe është vënë në shënjestër nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, kreu i narkoregjimit po përpiqet të fshihet e të shmanget. Përpjekje të dëshperuara sepse tashmë këmbanat për të kanë rënë në Shqipëri e jashtë saj!
Top Channel