Një ditë pasi Komisioneri Ilirjan Celibashi depozitoi në Kuvend propozimet për ndryshimet ne kodin elektoral, grupi parlamentar i Partisë Demokratike firmosën një amendament tranzitor përmes së cilit kërkojnë që vetëm për zgjedhjet parlamentare të 2025 të votohet edhe me pasaportë apo kartë identiteti biometrik të skaduar jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij.
Demokratët gjithashtu e kanë përkthyer deklaratën e Sali Berishës në propozim ligjor, duke kërkuar që në zgjedhje të votojnë edhe ata shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të cilët nuk janë pajisur me dokumente shqiptare identifikimi duke përdorur ato të lëshuara nga vendet e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo çdo vend tjetër i huaj, raporton Top Channel.
Ky amendamentet do të shqyrtohet si pjesë e ndryshimeve ne kodin elektoral të kërkuara nga Ilirjan Celibashi dhe mbetet për t’u parë nëse kjo kërkesë do e kushtëzojë votën e demokratëve për ndryshime e tjera për kodin elektoral.
Dokumenti:
Projektligji synon të ofrojë lehtësitë maksimale ndaj të gjithë shtetasve shqiptarë, kudo që ata ndodhen brenda dhe jashtë vendit, me qëllim mundësimin efektiv të të drejtës së tyre kushtetuese për të votuar, në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon rregullin sipas të cilit, e drejta e votës i njihet cdo shtetasi shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjec. Nisur nga ky rregull i përgjithshëm, në listat e zgjedhësve me të drejtë vote të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në Janar 2025, figurojnë mbi 3.7 milion votues. Por është fakt i njohur botërisht se emigracioni masiv i këtyre viteve të fundit dhe largimi i shqiptarëvë jashtë vendit, kanë ndikuar në uljen e ndjeshme të popullsisë prezente fizikisht brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ndonëse i kontestuar dhe jo plotësisht transparent, Censusi i fundit i popullsisë tregoi një prezencë prej gati 2,4 milion banorësh në Shqipëri, përfshirë qindra mijëra fëmijë nën 18 vjec (pra pa të drejtë vote), ndërkohë, numri i përgjithshëm i shtetasve t regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile është rreth 4,7 milion shtetas. Pra së paku 2,3 milion shtetas jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë. Lista e zgjedhësve, bazuar në ekstraktin paraprak të janarit 2025, është 3,7 milion zgjedhës, ose rreth 79% e numrit të përgjithshëm të shtetasve. Nisur nga ky përpjestim dhe duke prezumuar që në emigracion ndodhet kryesisht popullsi në moshë madhore e larguar kryesisht për arsye punësimi, numri i shtetasve me të drejtë vote me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë duhet të jetë midis 1,8 – 2 milion zgjedhës.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton në nenin 45 se të drejtën e votës e ka çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç. Neni 19 i Kushtetutës përcakton se “Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.” dhe se “Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj.”. Neni 18 i Kushtetutës parashikon barazinë para ligjit për shtetasit dhe ndalon diskrminimin.
Vetëm regjistrimi i zgjedhësit në listë në e zgjedhësve dhe parashikimet joefektive në ligj janë gjetur jokushtetuese nga jurisprudenca kushtetuese. Duhet garantuar ushtrimi efektiv i asaj të drejte. Kushtetuta nuk parashikon si kusht pasjen e një dokumenti identifikimi të vlefshëm, mungesa e të cilit të bëjë nul të drejtën e votës dhe ushtrimin e saj të efektshëm. Për sa kohë një shtetas shqiptar provon identitetin e tijnë një formë të besueshme, ai ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e votës. Kodi Zgjedhor madje lejon një zgjedhës të votojë edhe pa qene në listën e zgjedhësve, sa kohe që një gjykatë vendos ta lejojë të votojë. Pra, lista e zgjedhësve apo dokumenti i identifikimit janë instrumenta që shërbejnë për të siguruar të drejtën e votës dhe jo për ta zhbërë atë.
Nga ana tjetër, nëse analizojmë më kujdes Raportin Përfundimtar të OSBE-ODIHR për monitorimin e zgjedhjeve të fundit vendore të 14 Majit 2023, nga ky raport i OSBE konstatohet se në 2023 ishin të paktën 271,000 zgjedhës me letërnjoftime të skaduara. Por nga 2023 deri më tani, situata është përkeaësuar ndjeshëm. Raporti paraprak NAM (Needs Assessment Mission) i OSBE-ODIHR, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, (raport që mban datat 3 dhe 6 Dhjetor 2024), evidenton rreth 600.000 mijë zgjedhës me letërnjoftime të skaduara, e dhënë kjo e konfirmuar publikisht edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ky shqetësim përfshin shtetasit shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit, të cilët mund t’a kenë më të vështirë sësa shtetasit brenda vendit për të rinovuar dokumentat e identifikimit, dhe rrjedhimisht e gjithë kjo kategori zgjedhësish rrezikon seriozisht të mos jenë në gjëndje të votojnë në 11 maj 2025, nëse nuk amendohet Kodi Zgjedhor.
Gjithashtu numri i zgjedhësve që nuk kanë asnjë dokument biometrik/eektronik (pasaportë apo letërnjoftim) sepse janë larguar nga Shqipëria para fillimit të pajsjes me to duke nisur nga janari i 2009, apo që kanë lindur jashtë territorit të Republikës por që kanë fituar të drejtën e votës është i lartë. Që nga fillimi i regjistrimeve më 11 janar 2025 në platformën e KQZ-së për shtetasit që votojnë nga jashtë, numri i këtyre shtetasve që ankohen për pamundësi regjistrimi është shumë i lartë. Këta shtetas kanë një dokument biometrik të vendit ku jetojnë me të cilin mund të kalojnë kufirin shtetëror duke u identifikuar nëpërmjet pajisjesh elektronike biometrike edhe pa u indentifikuar nga policia kufitare.
Dispozita aktuale e Kodit Zgjedhor që ky amendament ndryshon, është miratuar në vitin 2008 dhe nuk reflekton reformën e madhe të nisur në vitin 2020 dhe të përfunduar në vitin 2024 që lejoi që të votojnë nga jashtë Republikës së Shqipërisë çdo shtetas që në ditën e votimit gjendet jashtë vendit dhe që regjistrohet rregullisht (e njohur me termin out-of-vountry-voting). Si e tillë nuk reflekton realitetin demografik të përshkruar më sipër, atë zgjedhor dhe ligjor në fuqi. Si e tillë, përbën një pengesë diskriminuese që bën efektivisht nul të drejtën e fituar me ligj.
Në këtë kuptim, nëse nuk merren masat e duhura në kohë për të lehtësuar regjistrimin dhe votimin e të gjithë shqiptarëve me banim jashtë vendit, rrezikojmë të kemi një pjesmarrje në votime të ulët, çka do të cënonte ndjeshëm jo vetëm besueshmërinë, por edhe legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë e procesit të ardhshem zgjedhor.
Ndaj, ky qëllim mund të arrihet vetëm duke hequr çdo pengesë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës edhe të atyre kategorive të zgjedhësve të cilëvë, (i) u ka skaduar letërnjoftimi elektronik dhe pasaporta shqiptare, apo (ii) asaj kategorie të shqiptarëve në Diasporë që kanë shtetësinë dhe/ose rezidencën e përhershme në një vend të huaj, po që aktualisht rezultojnë se nuk disponojnë asnjë pasaportë apo letërnjoftim elektronik të lëshuar nga Republika e Shqipërisë.
Me miratimin e këtij Projekligji dhe përfshirjen e dispozitave të tij në Kodin Zgjedhor si dispozitë tranzitore, nuk do të këtë më pasiguri juridike lidhur me eventualitetin nëse do të merret apo jo vendim nga Këshilli i Ministrave për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumentëve të identifikimit për efekt të zgjedhjeve, sic kjo praktikë tashmë ka ndodhur në disa palë zgjedhje, mirëpo nuk u përtëri në disa zgjedhje të pjesshme, si në rastin e Bashkisë Himarë (Zgjedhjet e Gushtit 2024), ku nga listat e zgjedhësve figuruan rreth 6000 zgjedhës pa dokument ID të vlefshëm.
Duke kryer rregullimet ligjore drejtëpërdrejtë në Kodin Zgjedhor, garantohet parashikueshmëria dhe sigurohët jo vetëm transparenca, por edhe siguria juridike për zgjedhësit, që e drejta e tyre e votës nuk do të varet nga diskrecioni politik i Këshillit të Ministrave.
Në këtë kontekst, ndryshimet ligjore të propozuara gjykojmë se janë të domosdoshme për gjithpërfshirjen dhe garantimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, dhe pavarësisht dokumentit të tyre të identifikimit që posedojnë, për zgjedhjet e vitit 2025, deri në parashikimin në mënyrë të përhershme të rregullave përkatëse. Një dispozitë e ngjashme është miratuar në Kodin Zgjedhor në vitin 2007 me kërkesë të opozitës (Partisë Socialiste) pikërisht me qëllim garantimin e të drejtës së votës në mungesë të dokumentave të identifikimit të vlefshëm për qindramijëra zgjedhës.
II. VLERËSIMI I PROJEKTAKTIT NË RAPORT ME PROGRAMIN POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTE TË TJERA POLITIKE
Ky projektligj nuk është parashikuar në programin analitik të projektakteve, por ai vjen si nismë e një grupi deputetesh të opozitës, me qëllim heqjen e pengesave për ushtrimin e të drejtës së votës nga cdo shtetas shqiptar, pavarësisht nëse ky i fundit disponon një Pasaportë apo letërnjoftim/kartë ID biometrike të vlefshme apo të skaduar, apo nëse disponon një dokument të tillë biometrik të lëshuar nga një vend tjetër i huaj.
III. ARGUMENTIMI I PROJEKTAKTIT LIDHUR ME PËRPARËSITË, PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME
Përparësia e Projektligjit, sikundër rezulton dhe nga përmbajtja e nenit 1 të tij, është që të hiqen pengesat procedurale që mund të privojnë padrejtësisht nga e drejta e votës me qindra mijëra shtetas shqiptarë brenda dhe jashte vendit dhe rrjedhimisht të hapet mundësia e njohjes për efekt të pjesmarrjes në votim të atyre qytetarëvë dokumentat e identifikimit biometrik të të cilëve mund të jenë skaduar apo edhe atyre qe paraqesin një dokument identifikimi biometrik të një shteti tjetër.
Kategoria e personave të prekur drejtëpërdrejtë nga kjo nismë, sipas raportit të fundit të OSBE-ODHIR mund të jenë rreth 600.000 shtetas me të drejtë vote por dokumentat e tyre rezultojnë se kanë skaduar apo skadojnë gjer në 11 maj 2025.
Efektet e pritshme të kësaj nisme do të jenë të prekshme për këto zgjedhje, sepse ndryshimet parashikohet të kryhen në një dispozitë tranzitore të Kodit Zgjedhor. Në këtë mënyrë do të rritej transparenca dhe garantohej siguria e nevojshme juridike se e drejta e votës së cdo shtetasi shqiptar, kudo ku ai ndodhet në Botë, do të njihet dhe do të garantohet, pavarësisht nga pajisja apo jo me një dokument të vlefshëm identifikimi shqiptar.
IV. VLERESIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUTSHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E NDËRKOMBËTAR
Projektligji i propozuar jo vetëm që është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe me parimet e sanksionuara në të, por në vlerësimin tonë është një instrument ligjor i nevojshëm për të realizuar qëllimin e transparencës dhe sigurisë juridike të zgjedhësve për këto zgjedhje të përgjithshme të parashikuara të mbahen në 11 Maj 2025.
V. VLERËSIMI I SHKALLËS SË PËRAFRIMIT ME ACQUIS COMMUNAUTAIRE (PËR PROJEKTAKTET NORMATIVE)
Ky projektligj nuk synon përafrim me ndonjë acquis të Bashkimit Europian.
VI. PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT
Projektligji përmban gjithsej 2 nene.
Neni i parë, është neni që kryen shtimin e një dispozite tranzitore të re në Kodin Zgjedhor. Konkretisht, pas nenit ekzistues me nr. rendor 184, propozohet të shtohet një dispozitë e re me këtë përmbajtje:
“Neni 184/1
Dispozitë tranzitore
1. Vetëm për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025, dokumente të vlefshme identifikimi, me qëllim mundësimin për të votuar, zgjedhësve brenda dhe jashtë vendit, do të konsiderohen:
a) Pasaportë ose letënjoftim/ kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga Republika e Shqipërisë,
b) Pasaportë ose letërnjoftim/ kartë identiteti biometrik, pavarësisht afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga Republika e Shqipërisë,
c) Pasaportë ose letërnjoftim/ kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe cdo vend tjetër”.
Neni i dytë i Projektligjit parashikon dispozitën e zakonshme për hyrjen në fuqi të ligjit, 15-ditë pas botimit në Fletoren zyrtare.
VII. INSTITUCIONET DHE ORGANET QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E PROJEKTAKTIT
Institucionet përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij ligji janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Gjendjes Civile, si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese të cilat kanë për detyrë zbatimin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
VIII. PERSONAT DHE INSTITUCIONET QË KANË KONTRIBUUAR NË HARTIMIN E PROJEKTAKTIT
Projektligji është hartuar nga grupi i deputetëve të opozitës të cilët kanë nënshkruar projektaktin.
IX. RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE
Nuk vlerësojmë që ky projektligj nuk ka ndonjë efekt financiar për buxhetin e shtetit.
Propozim projektligji nga Grupi Parlamentar i PD date 21.01.2025
Top Channel