Deputetët iu rikthyen jetës parlamentare në sesionin e ri të kuvendit. Kryetarja e kuvendit Elisa Spoiropali dhe kryetarët e grupeve parlamentare e vunë theksin në nevojën e përfshirjes të diasporës përmes votës, në proceset demokratike të vendit.
Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar i PS, Niko Peleshi tha se miratimi i ligjit të buxhetit 2025 apo vota e emigrantëve ishin ndër arritjet më të mëdha të Kuvendit.
“Në nisje të këtij sesioni parlamentar, dua t’i uroj të gjithë deputetëve suksese dhe punë të mbarë. Ky sesion pritet të jetë i ngarkuar, por dhe me një angazhim të shtuar në zonat elektorale të gjithsecilit.
Secili prej nesh ka një rol të pazëvendësueshëm për të përmbushur me sukses detyrimet ndaj votuesve. Në sesionin e kaluar, ky kuvend ka miratuar 36 akte, ku në disa raste, 4 prej tyre, është arritur konsensusi midis mazhorancës dhe opozitës.
Miratimit i ligjit të Buxhetit 2025 tregon një arritje të madhe sa i përket rritjes ekonomike të qëndrueshme. Prioritetet e këtij buxheti janë të bazuara në planin e rritjes nga BE për Ballkanin Perëndimor.
Edhe falë punës së palodhur në këtë Kuvend, Shqipëria do të ketë tre herë më shumë burime se në vitin 2013 dhe një ekonomi dy herë më të madhe. Sa i madh është kontrasti me vitin 2013, buxheti i të cilit në atë vit zgjedhor u përdor për qëllime elektorale. Më kujtohet 43 milionë euro në shtator të vitit 2013 mungonin në buxhetin e përkrahjes sociale, sepse ishin përdorur për fushatën e atij viti.
Përtej retorikës, ndonjëherë destruktive të opozitës në Kuvend dhe eventeve të shëmtuara dhe jo etike, Kuvendi i ka hapur rrugë proceseve të rëndësishme të progresit ekonomik e shoqëror të vendit tonë. Shqipëria ndodhet sot në një moment historik. Në tetor të vitit 2024, vendi hapi grupkapitullin e parë për negociatat me BE-në”-u shpreh ndër të tjera Peleshi.
Top Channel