Dokumenti/ Celibashi pritet t’ia dërgojë sot Kuvendit, zbardhet drafti i dakordësuar i PS-PD për votën e diasporës

20/01/2025 13:09

Top Channel siguroi sot draftin e  dakordësuar të PS-PD për votën e diasporës që KQZ pritet t’ja dërgojë sot Kuvendit.

Në draft parashikohet mënyra se si do të numërohen votat e ardhura nga Diaspora. Sipas propozimit, pas mbërritjes së fletëve të votimit, dy partitë kryesore në maxhorancë dhe opozitë do të marrin pjesë në procesin e numërimit.

Në të njëjtën kohë, partitë do të kenë detyrimin që të cojnë emrat e kandidatëve në KQZ, 60 ditë para zgjedhjeve (në 11 mars) dhe jo 50 ditë sic ishte më parë.

Neni 25/2

Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor

Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.

Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara nga KQZ numërohen dhe vlerësohen në vendin e numërimit të votave nga jashtë të caktuar nga KQZ.

Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëjtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse.

Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga KSHZ. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e pozitës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e opozitës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nent 30 dhe 31 të këtij Kodi. Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, KSHZ mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision.

Për numërimin dhe vlerësimin e votave KSHZ cakton grupe numërimi të përbërë nga dy anëtarë. Një anëtar propozohet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe anëtari tjetër nga partia më e madhe e opozitës parlamentare.

Rregullatori, me propozimin e Komisionerit, përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.

Neni 64 pika 1

Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 75 ditë (ishte 70) përpara datës së zgjedhjeve.

Neni 65 pika 1

Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 65 ditë (ishte 60) përpara datës së zgjedhjeve.

Neni 67 pika 1

Partia  politike  ose  koalicioni  zgjedhor,  në  kuptim  të  nenit  65,  që  është  regjistruar  nëKQZ  si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 60 ditë (ishte 50) para datës së zgjedhjeve, listën që përbëhet nga: lista shumemërore me renditje të fiksuar të kandidatëve; dhe b) lista shumemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes

 

Drafti i dakordësuar PS-PD

Në përditësim…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA