Familja e Erjon Llapushit ka reaguar pas ushtrimit të kontrollit nga RENEA në banesën e tyre.
Ai është një ndër 5 personat më të kërkuar në Shqipëri, pasi vrau kamerierin në Elbasan në vitin 2021.
Llapushi gjithashtu akuzohet edhe për vepra të tjera penale si gjobëvënie, plagosje, armëmbajtje pa leje.
Pas kontrolleve ai nuk u gjet në banesë dhe vijon ende kërkimi për arrestimin e tij.
“Në lidhje me kontrollin e ushtruar ditën e sotme në banesën e familjes (prindërve) të Erjon Llapushit në Pogradec, ju bëjmë me dije se asnjë objekt i paligjshëm nuk është gjendur në banesë, gjë lehtësisht e verifikueshme nga proces-verbali i dorëzuar nga policia pas kontrollit, i cili ju vihet në dispozicionon në vijim të këtij komunikimi, si edhe nga komunikata e Policisë së Shtetit në platformën sociale Facebook. Gjithashtu, theksojmë që asnjë nga personat e proceduar penalisht ditën e sotme nuk ka lidhje me Erjon Llapushin, përveçse janë banorë të të njëjtit qytet.
Do të dëshironim që mediat të verifikojnë informacionet para se t’i publikojnë, dhe të kenë kujdes nga lajmet e rreme që mund të dëmtojnë individë.
Nuk mund të mos e bënim këtë reagim pas gjithë ditës së ngarkuar. Për çështjen që djali im është në kërkim që nga muaji Tetor 2021, ne kemi shkresë noteriale dhe marrëdhënie te stabilizuara ndërmjet familjeve, që në muajin Dhjetor të vitit 2021, pasi rasti ishte një rast fatkeq.
Prokuroria e Elbasanit në ditët e para e akuzoi për plagosje të rëndë me dashje, më pas, pasi fatkeqësisht zotëria ndërroi jetë, plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen dhe çuditërisht më pas akuza ndryshon në vrasje me dashje, nëshkelje të të drejtës penale dhe ndryshe nga çdo rast fatkeq i gjykuar në Republikën e Shqipërisë.
Rikujtoj rastin e pak kohëve më parë në qytetin e Vlorës, ku për të njëjtën çështje, madje në rrethana më të cilësuara për shkak të njohjes së individëve, djali nga Vlora është në gjendje të lirë. Për shkak të pretencës tendencioze im bir nuk është dorëzuar dhe emri i tij është lakuar dhe përbaltur vend e pa vend….
Nëse çështja gjykohet në parim të së drejtës penale, djali im dorëzohet të vuajë dënimin për veprën e kryer, dhe jo për historitë e adoleshencës së tij. Theksoj që në çdo rast për çështje të faktuara është përballur me drejtësinë.
Përsëris që djali im është në kërkim vetëm për veprën penale të Tetor 2021. Nuk ka çështje të tjera.
Faleminderit për mirëkuptimin!”, shkruhet të reagimin e familjes.
Top Channel