Një operacion blic i policisë së Kosovës në veri të vendit solli arrestimin e një të dyshuarit dhe konfiskimin e një sasie mjetesh shpërthyese dhe municionesh.
Bastisjet në Mitrovicën e Veriut erdhën pasi policisë i mbërritën informacione për pajisje të dyshimta në një objekt të qytetit.
Në deklaratën e lëshuar me këtë rast theksohet se kontrolli u realizua në një shtëpi dhe zonën pranë saj. Forcat e rendit kanë gjetur e konfiskuar mes të tjerash katër granata dore të llojit M79 e fishekë të llojeve të ndryshme.
Për 37-vjeçarin e arrestuar, gjykata urdhëroi 48 orë paraburgim. Policia e Kosovës ka zbuluar e sekuestruar armatime dhe municion në veri në disa raste vitet e fundit.
Veriu i Kosovës – i banuar me shumicë serbe – është përballur me tensione të vazhdueshme këto vite dhe ka qenë vatër e disa sulmeve.
Në shtator 2023, një grup i armatosur serbësh e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë një oficer policie. Në shkëmbim e sipër të zjarrit humbën jetën edhe tre sulmues.
Nëntorin e vitit të kaluar sakaq ndodhën dy sulme me granata nga persona të panjohur ndaj komunës së Zveçanit dhe një stacioni policor atje, e në fund të atij erdhi dhe shpërthimi ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në një fshat të Zubin Potokut, që i shkaktoi dëme të mëdha këtij kanali të konsideruar jetik për vendin. Për këto incidente, Prishtina zyrtare ka fajësuar Serbinë, por Beogradi i mohon akuzat.
Top Channel