Në 5 ditë emigrantët shqiptarë kanë dorëzuar 20 245 kërkesa për regjistrim në listën e zgjedhësve të votuesve nga jashtë, teksa kanë kohë për plotësimin e formularit elektronik në aplikacionin e KQZ deri më 4 mars.
Deri tani më të interesuarit duken shqiptarët e Italisë me 6197 kërkesa, pasuar nga Greqia dhe Gjermania në tre vendet e para. Por këtë mundësi të dhënë për herë të parë për shqiptarët në të gjithë globin po e shfrytëzojnë edhe ata që jetojnë në shtete të vogla deri në ishuj, si p.sh. 4 kërkesa nga shqiptarët në Guadalupe, 2 nga Antigua dhe Barbuda, 1 kërkesë nga Gauna, Zambia apo ishujt Fixhi… Të dhënat gjinore tregojnë se meshkujt mbizotërojnë me kërkesat për të ushtruar të drejtën e votës, me 67%.
Xhaferi ka lënë Shqipërinë në 97’ e prej tre dekadash jeton në Itali dhe e vlerëson të rëndësishëm votën e diasporës.
“Kam ikur me helikopter nga Farka drejt një province në Verona, prej 25 vitesh pune me dokumenta jam stabilizuar. Unë skam ardhur ndonjëherë apostafat për zgjedhje, vetëm kur kam qëlluar aty kam votuar. Por e njoh situatën politike e ndjek vazhdimisht lajmet, nga dy tre herë në ditë. Dhe është e rëndësishme që do votojmë. E presim me kënaqësi edhe me shokë apo familjarë që janë këtu e kam biseduar”, tha Xhaferi.
Ndryshe mendon Julia, e cila është shkëputur nga realiteti shqiptar me jetesën në Spanjë.
“Kam vite që jetoj në Spanje dhe nuk e di se çfarë ndodh ne Shqipëri në përgjithësi. Por edhe po te votoja nuk jam e sigurt se sa e vlefshme mund te jetë vota ime pasi nuk njoh as kandidatët për deputet”, tha Julia.
Regjistrimi online i votuesve jashtë territorit shqiptar për zgjedhjet e 11 majit është hapi i parë për të ushtruar të drejtën e votës ku pranë app të KQZ duhen plotësuar të dhënat personale, duke pasur një mjet identifikimi shqiptar ose kartë identiteti ose pasaportë.
Top Channel