Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të dalë sot në gjyq për skandalin më të madh të financimit politik në historinë moderne të Francës, në të cilin dyshohet se ka marrë miliona euro.
Gjyqi historik i ish-presidentit francez të djathtë dhe 12 personave të tjerë – përfshirë tre ish-ministra të qeverisë – për konspiracion kriminal për të marrë fonde të shumta nga një diktator i huaj, kërcënon të përkeqësojë edhe më tej besimin tashmë të ulët të votuesve ndaj klasës politike franceze.
Pas një hetimi kundër korrupsionit që zgjati 10 vjet, gjykata do të dëgjojë akuzat për atë që gjyqtarët e quajtën një “pakt korrupsioni” të krijuar midis Sarkozy-t dhe regjimit libian, në të cilin ndërmjetësit dorëzuan valixhe me para në ndërtesat e ministrive në Paris për të financuar në mënyrë të paligjshme fushatën fituese presidenciale të Sarkozy-t në vitin 2007.
Gjykata do të shqyrtojë nëse, në këmbim të financimit të fushatës presidenciale të Sarkozy-t, regjimi libian kërkoi favore diplomatike, ligjore dhe biznesi.
Një nga këto kërkesa të pretenduara për favore lidhej me Abdullah al-Senussi, kreun e spiunazhit dhe zbatuesin e politikave të Gaddafi-t. Al-Senussi ishte dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm nga një gjykatë franceze në vitin 1999 për rolin e tij në bombardimin e një avioni pasagjerësh të linjës UTA mbi Niger në vitin 1989, i cili vrau 170 njerëz. Gjykata do të dëgjojë sesi, sipas akuzave, regjimi libian i kishte kërkuar rrethit të Sarkozy-t të gjente një mënyrë për të hequr urdhrin ndërkombëtar të arrestit të Francës kundër Al-Senussi-t.
Laure Heinich, një avokate që përfaqëson 15 të afërm të viktimave të bombardimit të avionit UTA, tha se klientët e saj do të shprehin tronditjen e tyre në gjykatë kur të dëgjojnë se “arrestimi i personit që vrau anëtarët e familjes së tyre” mund të ishte “shkëmbyer për para”.
Ajo tha se pakti i pretenduar i korrupsionit do të thotë që “paratë që Nicolas Sarkozy përdori për të fituar zgjedhjet në vitin 2007 ishin para të njollosura me gjakun e këtyre familjeve”.
Top Channel