Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni zhvilloi një takim me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në Mar-a-Lago.
Në një nga fotot e para të realizuara nga të ftuarit në sallonin e rezidencës në Florida, shihet në krah të tyre, edhe senatori i Floridës Marco Rubio i emëruar sekretar shteti nga Trump, kongresmeni nga Florida Mike Waltz , i emëruar këshilltar për sigurinë kombëtare, Scott Bessent, i emëruar sekretar i Thesarit, ambasadorja italiane në SHBA, Mariangela Zappia dhe sipërmarrësi Tilman Fertitta, i emëruar ambasador i SHBA në Itali, sipas medias vendase.
Elon Musk nuk u pa, por ai mund të ketë marrë pjesë në organizimin e takimit.
“Është shumë emocionuese, unë jam këtu me një grua fantastike, kryeministren italian.“ Me të vërtetë ‘e pushtoi’ Evropën”, u tha Trump të ftuarve të mbledhur në sallë pritjeje.
Menjëherë më pas Trump, Meloni, Rubio, Waltz dhe Bessent u ulën në audiencë dhe deri në orën 10:20 të mbrëmjes morën pjesë në premierën e dokumentarit “Eastman Dilema” mbi zgjedhjet e 2020, ku sistemi gjyqësor akuzohet se ka shënjestruar konservatorë si John Eastman, avokati i Trump, i cili humbi kualifikimin e tij për të praktikuar ligjin në gjykatat e shtetit të Kalifornisë dhe u emërua si bashkëpunëtor në padinë federale të ngritur kundër Trump për përpjekjet e tij për të penguar certifikimin e zgjedhjes së Biden.
Takimi i Melonit me Trump ishte gjithashtu një mundësi për të folur për rastin e Cecilia Sala, një gazetare italiane nga Il Foglio dhe Chora Media e cila është arrestuar nga Irani që prej 19 dhjetorit, si dhe për çështje të tjera që lidhen me Italinë si tarifat dhe lufta në Ukrainë.
“Irani ka arrestuar shpesh të huaj dhe individë me shtetësi të dyfishtë për t’i shkëmbyer me para dhe njerëz të tjerë. Një person i informuar për takimin tha se Meloni u përpoq në mënyrë agresive për këtë”, shkroi Neë York Times.
Takimi mes Melonit dhe Trump zhvillohet pesë ditë përpara vizitës së presidentit në largim Joe Biden, presidentit aktual amerikan, në Romë dhe dy javë para inaugurimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Pas darkës dhe takimit me Trump, Giorgia Meloni u largua nga Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Romë.
Top Channel