FOTO/ U qëllua me breshëri plumbash brenda makinës, ja kush është 33-vjeçari Ramazan Mataj, prej një viti ishte kthyer nga Belgjika

05/01/2025 13:38

Një 33-vjeçar u vra me armë zjarri në Postribë të Shkodrës këtë të diel.

Ramazan Mataj u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij tip “Benz” dhe më pas u gjet nga kalimtarët e rastit, banorë të fshatit Dragoç.

Autorët dyshohet se e kanë ruajtur Matajn gjatë natës dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshatit,  e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.

Ishin banorët që panë 33-vjeçarin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes.

Sipas informacioneve, ai ka qëndruar në Belgjikë, aty ku aktualisht ndodhet edhe vëllai dhe prej një viti ishte kthyer në Shqipëri.

Mataj ka bërë punë ditore në ndërtim në Mal të Zi dhe nuk rezulton të ketë precedent penalë.

“Rreth orës 07:15, në fshatin Dragoç, në rrugë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Benz, me drejtues shtetasin R. M., 33 vjeç, banues në Dragoç, Shkodër, i cili ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve“, sipas njoftimit të policisë.

Ende nuk dihet arsyeja e vrasjes së 33-vjeçarit dhe identiteti i autorit apo autorëve, ndërsa po hetohet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Babai i viktimës, i pyetur paraprakisht nga policia ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion se pse ka ndodhur ngjarja.

Ai ka thënë se djali nuk kishte probleme dhe as shqetësime. Komunikimin e fundit me të e ka patur mbrëmjen e kaluar dhe djali nuk i ka treguar asgjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA