Ndryshimet klimatike kanë sjellë nxehtësi rekord këtë vit, dhe bashkë me të motin ekstrem, nga uraganet deri te thatësirat e vazhdueshme.
Ky vit pritet të jetë më i nxehti i regjistruar dhe kërkimet e reja tregojnë se njerëzit në mbarë botën përjetuan 41 ditë të tjera të nxehtësisë së rrezikshme për shkak të ndryshimeve klimatike.
Studiuesit nga grupi World Weather Attribution (WWA) në Imperial College dhe Climate Central deklaruan se studimi tregon se “ne po jetojmë në një epokë të re të rrezikshme”.
Ky ishte një vit me nxehtësi, rekordet e temperaturës u thyen disa herë në tokë dhe në det.
Nga Brazili në Indonezi, BBC hedh një vështrim prapa në ngjarjet klimatike që ndikuan në jetën e miliarda njerëzve në vitin 2024.
Në prill dhjetëra vende, nga Libani në perëndim deri në Kamboxhia në lindje, pësuan një valë të zgjatur të të nxehtit, duke sjellë rrezikun e dehidrimit dhe goditjes nga nxehtësia.
Hulumtimet kanë treguar se popullatat me kalimin e kohës mund të përshtaten me temperaturat më të larta, por edhe duke marrë parasysh këtë, shkencëtarët në WWA dhe Climate Central vlerësojnë në vitin 2024, popullatat e botës përjetuan 41 ditë shtesë të nxehtësisë së rrezikshme, krahasuar me një botë pa ndryshime klimatike.
Dr Friederike Otto, drejtuese e WWA dhe Lektore e Lartë në Shkencën Klimatike në Imperial College London, tha:
“Ndikimet e ngrohjes së karburanteve fosile nuk kanë qenë kurrë më të qarta apo më shkatërruese se në 2024. Ne po jetojmë në një epokë të re të rrezikshme – moti ekstrem shkaktoi vuajtje të pamëshirshme.”
Një valë e nxehtë rajonale rreth rajonit të Amazonës u përkeqësua nga një fenomen klimatik natyror i quajtur El Niño , por studiuesit në WWA dhe Climate Central thanë se ndryshimi i klimës mbeti forca lëvizëse.
Së bashku me temperaturat më të larta, reshjet u reduktuan gjithashtu në një pjesë të Amerikës së Jugut. Zyrtarët në Kolumbi raportuan se nivelet në lumin Amazon u reduktuan me 90% duke ndikuar rëndë furnizimin me energji elektrike, rendimentin e të korrave dhe duke çuar në zjarre.
Filipinet përjetuan gjashtë tajfunë rekord në vetëm 30 ditë përgjatë tetorit dhe nëntorit – kjo erdhi pas gjashtë muajsh stuhish. Vendi është një nga më të rrezikuarit nga këto stuhi tropikale për shkak të vendndodhjes së tij pranë ujërave të ngrohta të oqeanit.
Rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet e shkaktuara nga stuhitë këtë sezon vranë më shumë se 1200 njerëz në të gjithë Azinë Juglindore.
Edhe kombet më të pasura nuk ishin në gjendje të mbroheshin plotësisht nga moti ekstrem këtë vit. SHBA përjetoi dy uragane të njëpasnjëshme – së pari Uragani Helene dhe më pas Uragani Milton – i cili la më shumë se 260 të vdekur dhe dëme në vlerë prej 115 miliardë dollarësh, sipas një studimi nga Christian Aid.
Shkencëtarët kishin parashikuar një sezon “të jashtëzakonshëm” për shkak të temperaturave të larta të oqeanit në Atlantik, të cilat nxisin uraganet.
Përmbytjet në Sudan dhe Nigeri në gusht dhe shtator treguan se moti ekstrem mund të përkeqësohet nga infrastruktura e mirëmbajtur keq.
Shirat e dendur që filluan në korrik sollën përmbytje të mëdha që çuan në shembje të disa digave duke vrarë dhjetëra njerëz dhe duke detyruar mijëra të largohen nga shtëpitë e tyre.
Top Channel