230 mijë të vdekur nga dallgët shkatërruese/ Përkujtohen sot viktimat e cunamit në Oqeanin Indian, fotot rrëqethëse nga ngjarja që tronditi botën

26/12/2024 13:49

Njerëzit janë bashkuar për t’u lutur dhe kanë vizituar varret masive në provincën Aceh të Indonezisë më 26 dhjetor për të shënuar 20-vjetorin e cunamit masiv në Oqeanin Indian që goditi rajonin dhe që ishte një nga katastrofat më të këqija natyrore në historinë moderne.

Shumë njerëz vendosën lule në varrin masiv në fshatin Ule Lue, ku më shumë se 14.000 viktima të paidentifikuara të cunamit janë varrosur. Ky është një prej disa varreve masive në Banda Aceh, kryeqytetin e provincës më veriore të Indonezisë që ishte një nga zonat e goditura më së rëndi nga tërmeti prej 9.1 shkallësh dhe nga cunami masiv që u shkaktua më pas.

“Na mungojnë dhe ende nuk e dimë se ku janë. Të gjithë e dimë se çdo vit ne vizitojmë varret masive në Ule Lue dhe Siron”, tha Muhamad Amirudin, i cili humbi dy fëmijët e tij 20 vjet më parë. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë.

Tërmeti i fuqishëm që goditi në afërsi të brigjeve të ishullit Sumatra më 26 dhjetor 2004, shkaktoi cunamin që la të vrarë afër 230.000 persona në dhjetëra shtete dhe ai arriti deri në Afrikën Lindore. Afër 1.7 milion persona u zhvendosën, kryesisht në katër shtetet e goditura më së rëndi nga fatkeqësia natyrore: Indonezi, Shri Lankë, Indi dhe Tajlandë.

Vetëm në Indonezi vdiqën më shumë se 170.000 persona.

Qindra njerëz u mblodhën në ceremonitë përkujtimore në Banda Aceh. Sirenat u lëshuan për tre minuta në mbarë qytetin për të shënuar kohën sa zgjati tërmeti i fuqishëm.

Tani ky qytet është rindërtuar dhe janë vendosur sisteme paralajmëruese për cunami.

Edhe në Tajlandë janë organizuar ceremoni për të përkujtuar më shumë se 8.000 persona që vdiqën si pasojë e cunamit. Afër 400 trupa ende janë të paidentifikuar.

Afër 300 persona morën pjesë në një ceremoni të lutjeve ku kishte besimtarë myslimanë, të krishterë dhe budistë.

Në Indi, qytetarët u mblodhën në plazhin Marina në qytetin Çenai. Ata hodhën qumësht në det për të qetësuar zotat dhe ofruar lule dhe u lutën për viktimat.

Sipas të dhënave, në Indi kanë vdekur 10.749 persona nga cunami i vitit 2004.

Ceremoni përkujtimore janë zhvilluar edhe në Shri Lankë, ku u mblodhën të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave. Në këtë shtet më shumë se 35.000 persona kanë humbur jetën nga fatkeqësia natyrore që ndodhi dy dekada më parë./ REL

FOTO GALERI
4/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA