“Sfiduam SHBA për një duel raketor”, Putin: Rusia është afër qëllimit parësor në Ukrainë

19/12/2024 13:20

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Moska është afër qëllimin të vet parësor në luftën kundër Ukrainës, si dhe i sfidoi Shtetet e Bashkuara për një “duel” raketor, me përfshirjen e raketës së re hipersonike balistike të Rusisë, Oreshnik.

Duke folur në një konferencë vjetor, të cilën e përdor kryesisht për të treguar kontroll mbi gati çdo aspekt të sferës politike dhe ekonomike të Rusisë, Putini u mburr për ekonominë e vendit, duke e fshehur ndikimin e sanksioneve të fuqishme që Perëndimi i vendosi ndaj Kremlinit pas pushtimit të Ukrainës.

Sesioni i kontrolluar rreptë pyetje-përgjigje më 19 dhjetor, i cili transmetohet drejtpërdrejt nga kanalet e televizioneve shtetërore në gjithë vendin, është përqendruar në vitet e fundit në çështje të brendshme.

Putin, në pushtet për gati një çerek shekulli, tha se forcat ruse po përparojnë përgjatë vijës së frontit në Ukrainë dhe se janë në rrugë për t’i arritur qëllimet e tyre parësore.

Ai nuk shpjegoi çfarë nënkuptoi më këtë, por në të kaluarën ka thënë se paqja do të jetë e mundur pas “denazifikimin, çmilitarizimin dhe statusin neutral” të Ukrainës.

Rusia pretendon rrejshëm se Ukraina udhëhiqet nga “nacionalistët radikalë” dh grupet neo-naziste.

Megjithatë, Putini e pranoi gjithashtu se nuk mund të thoshte se kur Rusia do ta rimarrë kontrollin e plotë të rajonit perëndimor të Kurskut, ku Ukraina nisi një ofensivë të papritur në gusht dhe ende mban nën kontroll pjesë të territorit.

“Ne do t’i dëbojmë ata patjetër. Patjetër. Nuk mund të jetë ndryshe. Por, sa i përket një date të saktë, më vjen keq, nuk mund ta them tani”, tha Putin.

Rusia ka lëvizur drejt autoritarizmit që nga ardhja e Putinit në pushtet.

Por, që nga zgjedhjet e vitit 2018, ky trend është përforcuar edhe më shumë. Opozita, që veçse ishte e margjinalizuar, është shtypur plotësisht.

Më herët këtë vit, Aleksei Navalny, kritiku më i shquar i Putinit, vdiq në një burg në Siberi.

Ndërkohë, gjatë konferencës Putin foli me ton sfidues për çështjen e armëve, duke sugjeruar që Moska dhe Uashingtoni t’i zgjedhin objektivat që do të mbroheshin nga sistemet mbrojtëse amerikane dhe më pas t’i lejojnë raketat Oreshnik të lëshohen në drejtim të tyre.

“Ne jemi gati për një eksperiment të tillë”, tha Putin.

Rusia e përdori raketën balistike të quajtur Oreshnik kundër Ukrainës më 21 nëntor, në një sulm që kishte si objektiv qytetin e Dnipros.

Putini tha asokohe se ajo ishte përgjigje ndaj përdorimit të raketave balistike amerikane, ATACMS, dhe raketave britanike, Storm Shadow, nga Ukraina për herë të parë, për ta goditur territorin rus me lejen e Perëndimit.

Analistët kanë shprehur skepticizëm lidhur me raketat Oreshnik, duke thënë se lëshimi i raketës së re me rreze të mesme veprimi ishte po aq një mesazh politik sa edhe shfaqje e forcës ushtarake. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA