Në betejën e pranverës politika shqiptare do duhet të bëjë llogaritë për premtimet e pambajtura jo vetëm me votuesit brenda territorit, por edhe me emigrantët.
Jozefina Topalli drejtuesja e Partisë Demokratike për Diasporën e nis me një mea culpa në emër të demokratëve.
“Po të kishim qenë më të vëmendshëm në 3 dekada mund të kishim bërë më shumë për diasporën dhe është një rast për t’i kërkuar ndjesë që nuk kemi bëre më shumë me ta”, tha ajo për gazetaren e Top Channel Elda Menga.
E ndërsa vendos në një peshore atë që politika nuk ka bërë ndër vite për emigrantet, ish numri i dy i Partisë Demokratike fajëson socialistët për një eksod të dytë të shqiptarëve.
“Përzënia e 1 milion shqiptareve në dekadën e fundit është dhuna më e pamëshirshme që një pushtet mund të ushtrojë ndaj një pjese të rëndësishme të kombit ndaj edhe kemi shumë gjëra të rëndësishme për të ndryshuar”, shprehet ajo.
“Mëkatet” e saj me diasporën politika po përpiqet ti rikuperojë duke i mundësuar për herë të parë te drejtën e votës. Votat e emigranteve janë një hambar elektoral pa përkatësi politike, por Jozefina Topalli është e bindur se votuesit nga jashtë mund të përmbysin realitetin politik ne Shqipëri.
“Përdorimi i pamëshirshëm i administratës apo mos dhënia e databazës së shtetit opozitës sigurisht jo vetëm është e padrejtë por është dhe për t’u denoncuar. Por, diaspora mund mund të ketë fuqinë të përmbysë situatën.
Socialistët kanë nisur punën për krijimin e një regjistri identifikues për emigrantet nëpër botë. Demokratët duket se janë një hap pas, dhe zonja Topalli nuk e fsheh një gjë të tillë.
“Disa degë po e bëjnë disa jo”, tha Topalli.
Jozefina Topalli prej kohesh ka nisur turin e takimeve të ngushta me emigrantet ne Europë dhe Shtetet e Bashkuara duke ndjekur një fushate ndryshe nga ajo kundërshtari politik.
Top Channel