Presidenti Begaj pret Këshillin Koordinues të Diasporës Shqiptare: Vota e shqiptarëve jashtë është shumë e rëndësishme

18/12/2024 15:08

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj sot në Ditën Kombëtare të Diasporës, priti në Institucionin e Presidentit Këshillin Koordinues të Diasporës Shqiptare.

Duke shprehur mirënjohje dhe vlerësim të veçantë për kontributin e tyre në dobi të kombit shqiptar, Kreu i Shtetit theksoi: “Shteti shqiptar, në zbatim të detyrimeve kushtetuese, duhet të mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë përkohësisht ose gjithmonë.

Ai do të vijojë të punojë për të përcjellë kudo në botë të gjitha vlerat e lidhura me trashëgiminë tonë historike dhe kulturore”.

Presidenti Begaj theksoi në përshëndetjen e tij se “Ju, shqiptarët e Diasporës, jeni energjia më pozitive e Shqipërisë, jeni shembulli më frymëzues se si shqiptarët, pavarësisht vështirësive, kanë arritur të integrohen, të bëhen pjesë aktive e shteteve ku ata jetojnë por, nga ana tjetër, nuk e kanë harruar atdheun e tyre të parë, dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Gjithashtu, Presidenti vlerësoi të gjitha iniciativat, organizimet e Diasporës shqiptare në mbrojtjen, ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe, duke falënderuar në mënyrë të veçantë mësuesit vullnetarë për kontributin e jashtëzakonshëm të mësimit të gjuhës shqipe.

Së bashku me Këshillin Koordinues të Diasporës, Presidenti ndau ide dhe propozime mbi gjetjen e rrugëve të reja për lehtësimin e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e lindur në Diasporë nëpërmjet krijimit të platformave kombëtare televizive.

Kreu i Shtetit, pasi mori falënderimet e Këshillit mbi qëndrueshmërinë e tij në betejën për të krijuar mundësinë e votimit të Diasporës që në ditën e parë të betimit të tij, u shpreh: “Vota e Diasporës është shumë e rëndësishme dhe përcaktimi i datës së zgjedhjeve më 11 maj kishte të bënte me faktin e realizmit të kësaj vote.

“Mendoj se vota e Diasporës është shumë domethënëse për Shqipërinë”, – shprehu edhe një herë bindjen e tij Presidenti Begaj.

Presidenti i Republikës bëri të ditur në këtë takim që ai do të vijojë me iniciativat e tij të promovimit të vlerave të modelit të shqiptarit të mirë, kudo ku ai ndodhet, jeton dhe punon, ruajtjen e gjuhës shqipe si ADN-ja e identitetit tonë kombëtar, leximit të librit shqip dhe trashëgimisë sonë të pasur historike e kulturore.

Në mbyllje të këtij takimi, Presidenti Begaj shprehu se e konsideron Diasporën shqiptare si një dhe të vetme dhe se “vetëm po të jemi të gjithë bashkë, do të jemi më të fortë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA