Babai i 17-vjeçarit, që u plagos nga bashkëmoshatari i tij në Cakran kërkon drejtësi për ngjarjen.
“U nisa për në punë me gjithë familjen, ndërsa djali shkoi në shkollë në orën 8:00. Sapo mbërrita në vendin e punës, më mori në telefon mësuesja kujdestare dhe më tha se djalin ma kishin qëlluar. Shkova menjëherë në spitalin e fshatit, por gjendja ishte e rëndë, e çuam direkt në spitalin e Fierit. E mbajtën dy orë në sallë në spitalin e Fierit. E mbajtën dy orë në sallën e operacionit dhe sapo ka dalë prej aty.
Kërkoj që shteti të marrë masa! Nuk është hera e parë që ndodh një fenomen i tillë. Dua drejtësi për djalin tim dhe që masat e sigurisë të shtohen në të gjitha shkollat e vendit”, tha në një intervistë për Top Channel, Ydai Xhafaj.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy nxënësve, që kishte nisur një natë më parë për shkak të një postimi në rrjetin social Snapchat. Autori i dyshuar i ngjarjes, i cili është identifikuar nga policia, ka pranuar se debati ka shpërthyer sapo ata kanë hyrë në oborrin e shkollës. Pas një shkëmbimi fjalësh, situata ka agravuar në dhunë fizike, duke çuar në përdorimin e thikës nga njëri prej të rinjve.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa autori i dyshuar është shoqëruar për marrjen e dëshmisë dhe për procedurat ligjore përkatëse.
Top Channel