
Përfaqësues të 135 familjeve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës protestuan sot para bashkisë, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme për strehimin e tyre.
Pas pesë vitesh pritjeje për të hyrë në shtëpitë e reja të ndërtuara në kuadër të programit të Rindërtimit, banorët vazhdojnë të përballen me vonesa dhe mungesë transparence.
Megjithëse ata kanë marrë çelësat e apartamenteve që në qershor të këtij viti, nuk kanë mundur ende të hyjnë në banesat e tyre për shkak të mungesës së kushteve bazë, si furnizimi me ujë dhe energji elektrike.
Të zhgënjyer nga mungesa e komunikimit të hapur mes bashkisë dhe firmës së ndërtimit, banorët ngritën zërin publikisht, duke kërkuar zgjidhje konkrete.
Ata theksuan nevojën urgjente për pajisjen e kompleksit të përfunduar të pallateve në lagjen 17, në hyrje të qytetit bregdetar, me shërbime bazë si uji dhe dritat.
Protesta nxori në pah shqetësimet e këtyre familjeve, të cilat prej vitesh jetojnë me qira dhe premtime të pambajtura.
Top Channel