Kryetari i Komisionit të Dezinformimit, Erion Braçe në një deklaratë për mediat pas mbledhjes komentoi edhe vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
Deputeti theksoi se kjo ngjarje është një model tipik dezinformimi, që sipas tij po vijon ende për qëllime politike.
Braçe: Ngjarja në Tiranë pranë një shkolle ka sjellë në vëmendje këtë gjë. Prokuroria po bën çfarë është e mundur për ti shkuar në fund krimit. Nisur nga informacionet që u ndanë i kemi kërkuar prokurorisë të hetojë deri në fund një rast model dezinformimi që i është bashkëngjitur atij krimi. Një rast shumë i qartë dezinformimi me synim të qartë politik që vazhdon. Komisioni ka kërkuar edhe hetimin e këtij aspekti, të dezinformimit. Në raport me SPAK, BKH dhe me atakun e drejtpërdrejtë apo përfshirjen në ngjarje të këtyre institucioneve.
Ndërkohë ai gjithashtu ngre problematikën e boshllëkut ligjor që nuk u lejon institucioneve të reagojnë në rastet e dezinformimit.
Braçe u ndal edhe tek deklarata e ministrit të Brendshëm se dezinformimit rus i janë shtuar edhe portale në gjuhën shqipe. Braçe tha se është e vështirë për të identifikuar se kush qëndron pas këtyre portaleve.
Braçe: Është shqetësim i madh. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit bëjnë me dije se janë në boshllëk të plotë ligjor për të vepruar për ndërhyrjet e huaja që përdorin dezinformimin për të goditur institucionet apo për të krijuar ndarje të qartë në shoqëri. S’ka bazë ligjore për të vepruar në të tilla raste.
E dyta, ka krijuar një problem të madh informaliteti veçanërisht në adresat e përdorura në rrjetet sociale dhe internet. Adresa që funksionojnë si ofrues shërbimi mediatik, të lajmeve, apo mungesa të identifikimit të drejtuesve të atyre që janë vërtetë media e që janë portale. Shumë e vështirë në rastin e dezinformimit për ti identifikuar se kush është pas këtyre portaleve. Jemi në dijeni të qartë të portaleve në gjuhën shqipe por që kanë origjinë Rusinë dhe vende të tjera keqdashëse. S’ka instrument që të adresojë problematikën e këtyre portaleve. S’ka instrument që të merret me portale që kanë origjinë ruse dhe që janë në gjuhën shqipe. Problemi i madh mbetet dezinformimi i brendshëm, nuk janë formale dhe nuk mbajnë përgjegjësi për ata që thonë.
Top Channel