Zv. Kryeministrja Belinda Balluku dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha janë përfshirë në një debat që nisi një ditë më parë në Kuvend dhe vijoi edhe sot.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku, pjesë e panelit të diskutimit në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë për dhunën ndaj grave në hapësirën dixhitale u ndal tek deklarata e një dite më parë e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u shpreh për mediat se mezi po qëndronte në Parlament “nga aromat e parfumeve”.
Balluku: Sot shikoja lajmet dhe pavarësisht se unë dje dhe koleget e mia kemi qenë në seancën parlamentare na merr dhe ne ajo rutina dhe ca gjëra i dëgjojmë, ca nuk i dëgjojmë. Po dëgjoja prononcime e copëza të ndryshme të mediave.
Dëgjoja kolegët tanë deputetë, nuk po i ndaj majtas apo djathtas, se ka pak rëndësi, sot këtu jemi të gjithë bashkë, tek flisnin që ajo sallë ka erë parfumesh të shtrenjta. Se zakonisht gratë janë ato që mbajnë parfume apo akuzohen për parfume.
Unë nuk e di që në sallën parlamentare ne kemi hyrë që të na mbajnë erë parfumet të cilat kushtojnë nga 100 lekë edhe shumë më shumë, por nuk e di kush i ka këto aftësi nuhatjeje për t’i ndarë se sa të shtrenjta janë dhe pastaj e thënë nga ai që po e thoshte nuk besoj që e ka këtë nuhatje në këtë moshë.
Ose dje kam dëgjuar një tjetër përfaqësues të politikës që tregonte se si ka ndryshuar disa prej grave të parlamentit në pamjen e tyre. Nuk e di se çfarë rëndësie ka pamja në rolet që kemi në parlament. Nuk e di sa e rëndësishme është pamja e një drejtuesi komisioni?
Nuk e di sa e rëndësishme është pamja ime sepse unë vesh çizmet dhe i futem baltës nëpër kantiere dhe bëj punë burrash. Supozohet se është punë burrash se ne këtu kemi profesoreshën që vjen nga një fushë e supozuar burrash, inxhinieria e ndërtimit.
Pak minuta më parë gjatë mbledhjes së grupit Berisha ripërsëriti akuzat se ministret dhe deputetet socialiste jetojnë mes luksit.
Berisha: Një vend partner, një vend demokratik, një vend me një shkallë zhvillimi nga më të lartat, të jemi realistë, Koreja e Jugut, të mos harrojnë qytetarët shqiptarë se desh mori flakë për një çantë. Për një çantë Christian Dior të Zonjës së Parë. Të cilën, për hir të së vërtetës e kishin denoncuar disa kohë më parë. Nuk jam në gjendje t’u them hollësira se mund të ketë edhe faktorë të tjerë, por presidenti tërhoqi ligjin e luftës që e shpalli pas 50 vitesh.
Dhe këta që u zemëruan, ishte fjala për çantë, një çantë Christian Dior, por e vërteta është që çantat Christian Dior nuk janë më të kushtueshme. U them shqiptarëve unë, se çantat që hyjnë dhe dalin në parlament nga qeveritaret, Hermes, Birkin, Bottega Venetto, Louis Vuitton, vetëm shihni… I ftoj mediat t’ua fotografojnë çantat ministreve… se ato nuk duken. Ato kushtojnë, u jap fjalën ju, nga 200 gjer në 500 mijë euro.
Që i thotë Ulsiu banditit, e dua edhe një çantë Louis Vuitton, pastaj vjen e ndan me Altin Dumanin.
Po, po, janë të vërteta këto. E thekson, Louis Vuitton e don, kurse ai i thotë për kë e don, e kuptoni vetë ju….
Pra, kjo është për qytetarët tanë. Koreanët kanë një nga standardet më të larta në botë dhe e vërteta është se pas problemeve që kanë pasur në vitet e pasluftës, janë një demokraci, kanë arritur në mënyrë evolutive të vendosen si një demokraci. Dhe për çantën Christian Dior të Zonjës së Parë u krijua ajo që nuk kishte ndodhur kurrë.
Po të jetë për çantën, ju garantoj se çantat e ministreve, për të mos thënë pastaj ca drejtoreshave, janë të paktën 3 herë më të kushtueshme se çanta e Zonjës së Parë të Koresë së Jugut. Prandaj duhet të fotografohen sa më shumë të gjitha objektet, se unë e kam theksuar se aty hyn si një sallon mode dhe jo si në parlament çka unë e ndjej veten jo mirë. Por dhe ju gazetarëve ju ftoj në emër të interesit publik të fotografoni sa më shumë çantat e tyre.
Top Channel