Një vit pa vrasjes makabre të Liridona Ademajt, vëllai i saj ka folur sot në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel.
Në vrasjen të cilën sipas dosjes së prokurorisë u porosit nga ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseliu, u përfshin edhe dy persona tjerë, Kushtrim Kokalla, dhe Granit Plava. Për të vrarë gruan e tij, Naimi raportohet se i kishte premtuar vrasësit, Granit Plava deri në 30 mijë euro.
Vëllai i saj deklaroi për “Shqipëria Live” se presin drejtësi për këtë ngjarje që ka tronditur jo vetëm familjen e tyre, por mbarë opinionin.
Pjesë nga intervista:
Si ka qenë ky vit për ju dhe familjen tuaj pa Liridonën?
Përshëndetjeje, në pamundësi për të dhënë një intervistë me figure, për shkak se babai ynë pati një ndërhyrje kirurgjikale dhe gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, gjithashtu sot jemi të angazhuar me përvjetorin e motrës, një ditë e trishtë.
Tash po bëhet 1 vit që nga vrasja e motrës sime, Liridona Ademaj.
Ne si familje jemi në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin për aq sa ata po munden të na gjejnë kohë, edhe pse ne do të kishim dashur që të takohemi më shpesh. Sidoqoftë, vrasja e Liridones është një ndër rastet me të rënda që i ka ndodhur vendit tonë, si për nga natyra e viktimës ashtu edhe për nga veprimet kriminale e dinake ndaj një burri kundër një nëne para fëmijëve të tyre.
A besoni tek drejtësia dhe deri në çfarë pike janë hetimet?
E kuptojmë që prokuroria duhet të përgatisë aktakuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këtë ka afat ende në bazë të ligjit.
Por ngritja e një aktakuze sa më shpejtë dhe dënimi maksimal që parasheh Kodi Penal i RKS është një lehtësim për ne si familje dhe për gjithë popullin sakrifikues e dashamirës të Kosovën.
Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkekryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe se bashku te 3 duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake.
Pra, është bërë tërësisht e qartë se Naimi ka kërkuar nga Kushtrimi që t’i ndihmojë ta vrasë Liridonën duke i dhënë mbështetje në planifikim e organizim të vrasjes duke i gjetur një person që e njeh se mund ta kryej këtë punë.
Kushtrimi i kishte gjetur dorasin Granit Plava si personin adekuat sipas Kushtrimit.
Sipas planifikimit të tyre i kishin kërkuar Granitit të ekzekutonte planin, i cili në natën kritike, sipas koordinimit, Granit Plava e ekzekuton motrën tonë duke e mbajtur shtrëngueshëm për krahu Naimi, në veturë në prezencë të dy fëmijëve të mitur. Është e paparamendueshme se si është ndjerë motra ime (e tradhtuar dhe e pambrojtur nga personi që duhet ta mbronte) në atë moment kur vetura i është ndalur me dinakëri kinse si rezultat i një hajni, e ku papritur është shtrënguar për krahu nga vetë burri i saj. Krahas mungesës deri në amshim që do të kemi, kjo është gjëja që edhe ne si familje e edhe fëmijët po e vuajnë më shumë.
Një mesazh për të gjithë njerëzit që u prekën nga humbja e Liridonës dhe ku qëndrojnë fëmijët e saj sot, si janë?
Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me fëmijët të cilët gjendën nën kujdesin e socialit dhe organeve kompetente në Suedi të cilët i falenderojmë për angazhimin e tyre.
Fëmijët i brengos më së shumti fakti se ishin në veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës së tyre në momentin kritik që vrasja të kryhet sa më lehtë.
Falenderojmë të gjithë për ngushëllimet, bashkëndjerjen e dhimbjes dhe solidarizimin me ne si familje dhe rastet e ngjashme në Kosovë, që shpresojmë të mos përsëritën kurrë.
Top Channel