Krimet mjedisore me efekte të parikuperueshme në mjedis që nga shkatërrimi i habitateve nga zjarret , transporti i mbetjeve të rrezikshme por edhe emetimet toksike në atmosferë, grumbullimi i paligjshëm i mbetjeve urbane, shkarkimi i ujërave të ndotur e të patrajtuar në basenet ujore ishin pjesë e një diskutimi analitik të mbajtur në universitetin e Gjirokastrës mes ekspertëve publikë dhe të sektorit privat si dhe studiues të fushës akademike.
Diskutimi mbi krimet mjedisore u bazua mbi të dhëna të viteve të fundit ku Gjirokastra si qark e Shqipëria në tërësi ka humbur sipërfaqe të jashtëzakonshme pyjesh prej prerjeve dhe zjarreve. Sipërfaqja pyjore u reduktua përgjatë dy dekadave të fundit nga 75 milion metër kub në 58 milionë metër kub. Në këto kushte shpresa e rikuperimit sipas ekspertëve lidhet me pyjet e rinj dhe ndëshkimin për dëmet. Gjithashtu sfidë mbetet edukimi dhe përgatitja e ekspertëve të fushës.
“Sot kemi një diferencë prej gati 15-17 milionë metër kub. Të dhënat e inventarit të fundit flasin për 58 milionë metër kub pyje në total në Shqipëri. Ky është pasojë e tranzicionit të tejzgjatur që ka jetuar vendi ynë ku një barrë jo të vogël mbajtën sipërfaqet e pyjeve. Vëmë re me keqardhje se nga 900 specialistë që duhet të kenë të gjithë bashkitë e vendit sot kemi vetëm 580 punonjës që edhe ata nuk janë të profesionit kemi mungesë të theksuar kuadri. Nga ana tjetër vëmë re se kemi edhe mungesë inteteresimi të brezit të ri për tu edukuar pranë Fakultetit të vetëm të shkencave pyjore që ndodhet në Tiranë.”
Në themel të disktumit ishte edhe problematika që lidhet me evidentimin e këtyre krimeve si penale dhe ndërshkimin e tyre prej organeve të zbatimit të ligjit”, tha Kliti Starja, nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
“Problematikat e mjedisit janë të niveleve të ndryshme e në kontekste të ndryshme e për më tepër që nuk janë vetëm në Shqipëri. Sot takimi fokusohet në krimet kundër mjedisit ato që janë vepra penale. Institucionet duhet të koordinojnë punën në adresim e duhet të të gjitha hallkave të krimit mjedisor”, u shpreh Olsi Nika, ekspert mjedisi.
Gati 1/3 e detyrimeve të Shqipërisë në kuadrin e përmbushjes së kapitujve të lidhur me kriteret e anëtarësimit në BE janë në fushën e mjedisit. Statistikat lokale flasin për zgjidhjen e nevojave emergjente të problematikave mjedisore që gjithashtu ndikojnë në turizëm.
“Një prej problematikave që duhet të zgjidhet është reduktimi i krimeve mjedisore. Sigurisht që nuk është një problem thejsht shqiptar, duhet të jemi koshientë për këtë. Nuk është një problem vetëm i Gjirokastrës është problem global. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë që vetëm nga krimi mjedisor kemi një rënie me gati 6% të prodhimit të përgjithshëm bruto në nivel global, dmth flasim për disa triliona dollarë. Po ashtu të dhëna të tjera të Interpolit për 2021 tregojnë se vlerat janë shumë të pasakta sepse janë përllogaritje zë përafërta që janë më shumë se 100 miliardë dollarë. Pse flasim sot për Gjirokastrën? Sepse ajo është një prej qyteteve kryesore turistike në Shqipëri. Të dhënat e fundit tregojnë që 36% e të punësuarve në qarkun Gjirokastër kanë lidhje në mënyrë direkte apo indirekte me shërbimet në sektorin turistik. Papunësia vetëm vitet e fundit ka rënë nga 6% në 4% e kjo lidhet me impaktin që ka pasur turizmi në ekonomi. Kështu që nëse duam rritje mjedisi duhet vendosur në qendër të prioriteteve të turizmit në mënyrë që të jetë mbështetës e të mos e frenojë atë”, tha Klodian Muço, ekspert ekonomie.
Dy vjet më parë observatori shkencor i Athinës i cili proceson të dhëna mbi klimën prej programit satelitor Copernicus paralajmëroi se e ardhmja e klimës me ndikim tek katastrofat natyrore është jopremtuese për të gjithë rajonin përfshirë Shqipërinë.
Top Channel